Ndërsa akademikët pritet të përçojnë tek të huajt në një botim serioz “Historinë e shqiptarëve”, mbeten të pazgjidhura një sërë problematikash në mënyrën se si nxënësve vendas u mësohet e kaluara.
Shqetësim i historiografëve mbetet përmbajtja e teksteve shkollore sa i përket lëndës së historisë, ku sipas Xhufit është kthyer në një mënyrë të të bërit biznes, duke u mundësuar fitime njerëzve jokompetentë. Mirëpo në përgjigjen ndaj “Vetting” Ministria e Arsimit, shprehet se pranë Komisionit të Vlerësimit të Teksteve Shkollore, nuk është paraqitur asnjë ankesë nga studiues të historiografisë në vend, më tej shpjegon procedurën e përzgjedhjes së teksteve .
“Tekstet shkollore përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, pas certifikimit nga ministria. Procedurat e përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Tekstet për nxënësit janë alternative. Numri i alternativave të teksteve shkollore kufizohet në jo më shumë se tre alternativa për çdo lëndë ose fushë të të nxënit.
Tekstet shkollore sigurohen nga botuesit, vendas ose të huaj, mbi bazën e standardeve të teksteve, nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit”.
Me kritikat e ashpra të historianëve për tekstet dhe mënyrën se si u përçohet historia brezave të ardhshëm, rishkrimi i historisë vijon paralelisht në dy projekte madhore. Ministria e Financave bën me dije se ende nuk ka vlera konkrete për fondet që do t’i akordohen Akademisë për vitin 2022 dhe 2023 sa për ketë rishkrimit të Historisë së shqiptarëve, por ato do t’i përgjigjen nevojave që do t’u shtrohen. Për sa i përket planifikimit të fondeve për vitet 2022 dhe 2023, përmbushja e nevojave do të jenë pjesë e përgatitjes së PBA-së për vitet në vijim dhe ende nuk ka vlera konkrete.