Një ditë nga ngjarja e rëndë që tronditi Elbasanin ku tre persona mbetën të vrarë si pasojë e një atentati, të tjera detaje kanë dalë në dritë.
Kështu dy prej tyre, Arben Dylgjeri 56 vjeç dhe Endrit Dylgjeri (Alibej) 34 vjeç, ishin xhaxha e nip, ndërsa i vdekur mbeti edhe një shtetas 51-vjeçar turk. Nga sa mësohet shtetasi turk kishte pak ditë që kishte ardhur në Shqipëri, pasi bashkëshortja ishte shqiptare. Turku dyshohet se ishte bashkëpunëtor në ngjarjet kriminale të Endrit Alibej. 34-vjeçari rezultonte emër i njohur për policinë, pasi është dënuar me burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Prishja e pazareve të drogës mendohet të jetë shkaku i krimit të rëndë dhe është ajo ku po hetohet më së shumti, duke u nisur edhe nga e shkuara kriminale e 34-vjeçarit.
Ky i fundit, bashkë me xhaxhain, kishin ardhur para pak ditësh në Shqipëri për festat e fundvitit, ndërsa makina e tyre u sulmua nga një bredhëri automatiku, në rrugën Elbasan-Metalurgjik.
Endrit Dylgjeri (Alibej) ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2013 në Itali, si pjesëmarrës dhe drejtues i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës në veri të këtij shteti.
Gjithsesi, policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkaqeve që çuan në këtë masakër.
Deri më tani janë shoqëruar të paktën 30 persona në lidhje me ngjarjen ndërsa në vendin e atentatit ka qëndruar për disa orë mbrëmjen e të shtunës edhe vetë kreu i policisë Ardi Veliu dhe specialistë të hetimit nga Tirana.