Kur SPAK publikoi njoftimin për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit, të shumtë ishin ata që nisën të diskutojnë për një specifikim në njoftim: ligji antimafia.
Bëhet fjalë për një ligj të miratuar këtu e një dekadë më parë nga qeveria e kaluar e demokratëve. Ligji është mjaft i rreptë, por për shumëkënd bënte përshtypje aktivizimi i tij për rastin e Ndroqit.
Pak orë më vonë, në ambientet e ORA TV mbërritën forca speciale të armatosura rëndë, duke terrorizuar gazetarët dhe treguar se synimi ishte frikësimi i një mediaje, e cila është kritike me pushtetin dhe së fundmi është përfshirë në një përplasje ligjore me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Por nëse u kujtohet, pikërisht opozita kërkoi para disa kohësh që ligji antimafia të vihej në lëvizje për një nga rastet më flagrante të qeverisjes së Edi Ramës. Fatmir Xhafaj ishte bërë ministër i Brendshëm dhe opozita e akuzonte se ishte subjekt i ligjit antimafia për shkak të vëllait të tij, Geron Xhafës.
Asgjë nuk ndodhi në këtë rast.
Asgjë nuk ndodhi as në rastin e mikut të Taulant Ballës, Mond Bega. Në dhjetor të vitit 2018, BIRN shkruante se për herë të tretë në tetër vjet, prokuroria po niste një hetim pasuror për Begon, i dënuar një dekadë më parë në Itali për krim të organizuar dhe trafik lëndësh narkotike.
Teksa Bego ka përfituar leje ndërtimi dhe tendera publikë prej dhjetëra milionë dollarësh, Ndroqi nuk ka përfituar nga paratë publike. Mesa duket standardi i dyfishtë i SPAK nis pikërisht këtu. Askush pranë pushtetit aktual, që e furnizon me paratë e krimit, nuk goditet.