Lirohen anëtarët e grupit “Bajri”

0
346

Gjykata e Shkodrës vendosi të heqë masën “arrest me burg” për Safet Bajrin, ndërsa la të lirë 3 anëtarë të tjerë të bandës së Bajrajve. Kjo gjykatë  lehtësoi gjithashtu dënimet edhe për dy anëtarë të tjerë.

Arrestimet me buje të Operacionit Forca e Ligjit edhe një herë janë shfryrë në gjykatë. Disa të arrestuar si pjesë e grupit Bajri në Shkodër janë lënë të lirë.

Gjykata e Shkodrës e kryesuar nga Besmir Stroka ka shuar masën e sigurisë “arrest me burg” për një pjesë të grupit të konsideruar si të fortët e Shkodrës, të arrestuar me bujë në vitin 2018.

Por Gjykata ka hequr masën “arrest me burg” në kuadër të operacionit edhe për Safet Bajrin, duke e mbajtur ne qeli vetëm për vendimin penal të formës së prerë, të ardhur nga Belgjika.

Ai u akuzua për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh. Më herët gjykata i ka njohur atij dënimet me 8 vite dhe 9 muaj burg për shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

Në të njëjtën seancë gjykata ka vendosur të lirojë Ismet Idrizin, Samet Hallunin dhe Asmer Bilalin, ish-kampion i boksit, të cilit pak kohë më parë iu vranë i ati dhe xhaxhai në Shkodër.

Masa e sigurisë është lehtësuar edhe për Emran Plakun dhe Jorida Muratin nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Por gjykata ka vendosur të zgjasë afatet e paraburgimit për Behar e Ilir Bajrin.

Grupi “Bajri” u arrestua në kudër të operacionit “Oaz”, ndërsa anëtarët e tij u akuzuan për një sërë veprash të rënda kriminale deri tek vrasja.