Lista E KOMBËTARES për sfidat me Ukrainën dhe Gjeorgjinë/ Silvinjo i bën “dalje” edhe Muçit, ja kush mungon

0
234
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

As Myrto Uzuni, as Keidi Bare dhe madje as Ernest Muçi! Silvinjo i ka befasuar të gjithë me listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë, që do të luhen respektivisht më 7 shtator në transfertë dhe 10 shtator në “Air Albania”.

Nëse për mesfushorin Klaus Gjasula dhe sulmuesin Sokol Cikalleshi, dihej që nuk do të ishin, pasi janë tërhequr zyrtarisht nga Kombëtarja, ajo që habiti në listën e djeshme të publikuar me 24 lojtarë të grumbulluar ka qenë mospërfshirja e disa emrave të rëndësishëm, që madje kanë qenë pjesë edhe e Europianit si kuqezi. Pasi nuk e konsideroi asnjëherë si titullar në gjithë këtë periudhë që drejton Shqipërinë, Silvinjo duket se i ka bërë “dalje” edhe sulmuesit të Beshiktashit, Muçi. Nga ana tjetër, me listën e djeshme, trajneri brazilian dha një sinjal të qartë për lojtarët që luajnë në Spanjë me Grandën dhe Zaragozën.

Pra, nëse lënia jashtë Europianit u mendua si një zgjedhje teknike e momentit, tashmë mosgrumbullimi sërish i Uzunit dhe Bares, konfirmon se Silvinjo nuk i ka më në planet e tij. Fakti që ata nuk grumbullohen as për ndeshjet e Ligës së Kombeve tregon se “krisja” mes trajnerit dhe dy lojtarëve është përfundimtare.

Por, nëse shikon listën e Europianit, kupton që për zgjedhje teknike Silvinjo ka lënë jashtë këtë herë edhe portierin Etrit Berisha, i cili është në kërkim të një skuadre. Nga ana tjetër, për shkak të problemeve fizike nuk janë grumbulluar as mbrojtësi Arlind Ajeti, i cili luan në Rumani me Kluzhin, por gjithashtu portieri Elhan Kastrati, i cili është pjesë e Çitadelës në Serinë B. Këtë herë nuk është në listë as sulmuesi Mirlind Daku, të cilit i mbetet edhe një ndeshje për të shlyer nga pezullimi që mori nga UEFA, por që nëse grumbullohej, mund të ishte i gatshëm për takimin e kthimit që Shqipëria luan me Gjeorgjinë.

Daku ka pasur gjithashtu probleme fizike këtë periudhë, paçka se ka qenë sulmuesi më në formë i kampionatit rus, duke shënuar rregullisht për Rubin Kazanin. Nga lojtarët që ishin në Europian nuk është thirrur as mbrojtësi i majtë, Naser Aliji, i cili pritet të firmosë me Dinamon. Ndërsa për ata lojtarë kuqezinj që kanë qenë pjesë e grumbullimeve të Kombëtares në fazën eliminatore para Europianit, Silvinjo nuk ka grumbulluar sërish sulmuesit Arbnor Muja, Marvin Çuni dhe Anis Mehmeti, por gjithashtu mbrojtësit Frederik Veseli dhe Jon Mersinaj.

RISITË – Dy lojtarë që janë aktualisht pjesë e Partizanit do të përfaqësojnë Kategorinë Superiore në listën me 24 lojtarë të publikuar dje nga Silvinjo. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut, Andi Hadroj dhe mesfushorin me tipare sulmuese, Agim Zeka.

Për këtë të fundit është hera e parë që ftohet nga Kombëtarja shqiptare, duke qenë pikërisht befasia më e madhe e kësaj liste. Por, një tjetër surprizë ishte edhe ajo me mesfushorin shkodran, Sebastjan Spahiu, i cili pas largimit nga Egnatia, është transferuar në Iran te Mes Rafsanjan dhe tashmë merr për herë të parë ftesë nga Kombëtarja. Silvinjo i ka besuar sërish portieri Alen Sherri, i cili u transferua nga Egantia te Kaljari në Serinë A. Pjesa tjetër e futbollistëve të grumbulluar janë të gjithë ata që ishin edhe në Europian.

BROJA – Silvinjo ka përfshirë edhe sulmuesin Armando Broja në listë, paçka se ky i fundit ka një dëmtim që e ka penguar të firmoste në ditët e fundit me Ipsuiç Taunin në Premier Ligë. Gjasa janë që sulmuesi të shikohet në dinamikë nga stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare gjatë ditëve të grumbullimit, e më pas të merret një vendim nëse do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet me Ukrainën dhe Gjeorgjinë./PanoramaSport

Zjarr Tv Ad