Lleshaj: Prania e policëve të tepruar u jep rrugëve një pamje jo normale

0
17

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka urdhëruar këtë të premte që të hiqen postblloqet e Policisë Rrugore dhe të shmanget vendosja e efektivëve në kryqëzime të cilët dublojnë semaforët.

Kërkesa për këtë ndryshim i është përcjellë përmes një shkrese drejtorit të përgjithshëm, Ardi Veliu.

Lleshaj ka sqaruar se prania e policisë në numër të tepruar dhe statike, u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, ndërsa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ultat në rajon.

Gjithashtu, ministri ka kërkuar që policia të shtojë patrullimet në vend të postblloqeve me mjete policie të shenjuara, mjete civile si dhe punonjës me ose pa uniformë.

Sipas tij, polici në kryqëzim duke dubluar semaforin ndikon në edukim të gabuar të përdoruesve të rrugës.

Ndër masat e tjera që do të nisin zbatimin është edhe projekti për dërgimin e gjobave nëpërmjet postës, në adresë të shoferëve shkelës.