Lleshaj trondit qeverinë: Porti i Durrësit, skemë për pastrim parash. Qyteti s’ka nevojë të jetë Dubai i Mesdheut…

0
413
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ndërtimi i portit turistik të Durrësit nga kompania “Emaar” ka ngjallur debate të forta politike, ku opozita e cilëson si megaaferë, por për ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, prioritet madhor duhet të jetë porti i madh i Shqipërisë si më i rëndësishmi në rajon.

Lleshaj flet për zhvendosje të portit, që sipas tij duhej të kishte ndodhur ndërkohë, pasi aty ku është nuk mund të kryejë funksionet e një porti modern rajonal. Ai mendon që porti duhet të ndërtohet në një vend tjetër me vizionin e njërit nga portet me të rëndësishme të rajonit.

Sandër Lleshaj thotë për gazetën “Panorama” se Porti i madh duhet të jetë projekti i vërtetë strategjik i vendit, pasi ka kapacitetin ta transformojë rrënjësisht Shqipërinë, kurse Porti i vogël i Durrësit sipas tij është shumë i vogël për të marrë një domethënie strategjike. Ai bën të qartë se “Durrësi ka shumë rrezatim historik dhe nuk ka nevojë të jetë një “Dubai i Mesdheut”.

Ish-ministri socialist flet edhe për largimin e shqiptarëve, teksa e sheh me shqetësim trendin migrator të tyre drejt vendeve të perëndimit. Për largimin e tyre ai fajëson politikën si përgjegjëse për gjendjen ekonomike të vendit, e cila, sipas Lleshajt, kurrë nuk ka arritur që t’i afrohet normalitetit.

Sandër Lleshaj thotë se politika në thelb ka qenë një betejë e përhershme për vota dhe jo për zhvillim. Sipas tij, obsesioni për vota ka shuar çfarëdo guximi për reforma dhe mungesa e tyre ka goditur natyrisht vetë ata që japin votën, qytetarët të cilët po emigrojnë drejt vendeve të perëndimit.

Sandër Lleshaj beson se ka shumë mënyra për të kontrolluar përmasat e tij, ndërkohë që ndalimi as mund të mendohet si opsion… Ai apelon për krijimin e kushteve për zhvillimin e shoqërisë dhe jo thjesht fitorja në zgjedhjet e ardhshme. Lleshaj përmend se partitë janë një punishte elektorale, por jo laboratorë ku zhvillohet e ardhmja e vendit.

Z.Lleshaj, së fundmi politika është përfshirë nga debati për ndërtim e portit turistik të Durrësit nga kompania “Emaar”. Si e konsideroni projektin e këtij porti, projekt strategjik apo një skemë për pastrimin e parave!?

Kur flasim për pozitë gjeostrategjike të Shqipërisë, flasim në fakt për aksesin maritim të saj, flasim konkretisht për portet e saj, ku Durrësi është kryesori, edhe pse ende krejt i vogël për të qenë strategjik. Që metafora e Shqipërisë si Porta e Ballkanit të bëhet realitet, ajo ka nevojë të ndërtojë një PORTË reale, një ose disa porte të mirëfilltë. Kjo gjë madje është sanksionuar edhe në Politikën e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë, që është miratuar në Kuvendin e saj.

Është prioritet strategjik kombëtar i dorës së parë ndërtimi i një kapaciteti të rëndësishëm portual dhe i një korridori përkatës që e lidh këtë port me “hinterlandin” juglindor të Europës. Janë disa shtete shumë afër me ne, që mund të lidhen me hapësirën jetike të shkëmbimeve detare përmes Shqipërisë. Ky është një ndër kapitalet më të rëndësishëm që Shqipëria ka potencialisht në dorë për ta zhvilluar. Theksoj se prioriteti madhor duhet të jetë porti i madh, i cili ka kapacitetin ta transformojë rrënjësisht Shqipërinë.

Unë jam krejt i bindur se këtu duhet të përqendrohet energjia kryesore. Sa i përket portit turistik, ose portit të vogël, unë mendoj se ai është i nevojshëm, por shumë i vogël për të marrë një domethënie strategjike. Sigurisht që vendimi për ta ndërtuar atë në Durrës është krejt logjik, ndërkohë që PORTI i MADH i Shqipërisë duhet të paraprijë në të gjitha aspektet. Kam një shënim të vogël anësor lidhur me simbolikën e projektit të vogël. Ata që njohin disi kohën e artë të antikitetit greko-romak, e dinë se Durrësi gjendet në të gjitha hartat e vjetra të kontinentit, në të cilat mungojnë shumë prej qyteteve të mëdha të vetë Europës së sotme.

Durrësi ka aq shumë rrezatim historik kulturor dhe historik sa që jo vetëm i mjafton, por edhe i tepron. Në këtë kuptim, ai nuk ka nevojë të jetë një “Dubai me Mesdheut”, por vetëm Durrësi. Durrësi, që edhe pse ende nën dhe, e ka hirin e një qyteti të përjetshëm. Sa u përket aludimeve për krimin e lidhur me këtë projekt, mendoj se ato duhet të verifikohen nga organet që kanë kompetencë ligjore dhe profesionale. Ndërkohë që për publikun vlen thirrja për të analizuar edhe autorët e tyre, që në shumë raste kanë spikatur si intoksikues të rrezikshëm publikë.

Projekti është shpallur investim strategjik dhe parashikon zhvendosjen e portit aktual të Durrësit dhe në pronën e tij do të ndërtohen apartamente, qendra komerciale dhe hotele… A është një kafshatë e madhe për shqiptarët siç shprehet opozita…?

Zhvendosja e portit duhej të kishte ndodhur ndërkohë, pasi aty ku është ai nuk mund të kryejë funksionet e një porti modern rajonal. Ritheksoj që porti duhet të ndërtohet në një vend tjetër me vizionin e njërit nga portet me të rëndësishme të rajonit. Ky duhet të jetë projekti i vërtetë strategjik i Shqipërisë ashtu sikundër e përcakton dhe Strategjia e Sigurisë Kombëtare. Ndërsa ky projekti tjetër me port turistik, hotele dhe rezidenca mbetet vetëm një projekt zhvillimor.
Copyright: abcnews.al

https://abcnews.al/lleshaj-trondit-qeverine-porti-i-durresit-skeme-per-pastrim-parash-qyteti-ska-nevoje-te-jete-dubai-i-mesdheut/?mibextid=Zxz2cZ

Zjarr Tv Ad