Lleshaj vizitë zyrtare në Liban/Ja çfarë u diskutua

0
7

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj po kryen një vizitë zyrtare në Liban, ndërsa zëra brenda mazhorancës shprehen se ai ka biseduar me krerë të lartë të qeverisë Libaneze për të mundësuar riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë që ndodhen në Siri.

Lajmi i mbërritjes së Lleshajt në Liban është bërë publike nga mediat libaneze të cilat kanë përcjellë takimet e ministrit tonë me homologun e tij Mohammad Fahmi si dhe Komandantin e Ushtrisë së Libanit, Gjeneral Joseph Aoun, i shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm në Liban, Mark Ghareeb. Gjithashtu një ditë më parë ministri shqiptar takoi dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë së Brendshme Gjeneral Majorin Imad Othman.

Sipas raportimeve zyrtare të mediave vendase thuhet se gjatë takimit u bë një prezantim i situatës së përgjithshme në vend dhe mjetet e bashkëpunimit të sigurisë si dhe u diskutua mbi situatën e përgjithshme në rajon.

Por sipas burimeve nga mazhoranca thuhet se Lleshaj do të kërkojë ndihmën e autoriteteve libaneze për riatdhesimin e 51 fëmijë të mbetur në kampin Al Hol në Siri.

Ndërsa presioni i familjarëve të fëmijëve të mbetur në zonat në konflikt është rritur ndjeshëm, Lleshaj nisur dhe nga rasti i Alvin Berishës po shpreson të ketë sërish ndihmën e qeverisë libaneze për të mundësuar operacione të ngjashme.