Nga Edi Oga, për Newsbomb.al
Me stilin e tij të pamohueshëm, kryeministri kapi në befasi pothuaj të gjithë shqiptarët, kur shqiptoi një emër “të papritur” si fitues të “quizit presidencial”. Pothuajse askush nuk e priste që “i preferuari” i udhëheqësit për president të ishte një person me profil publik kaq të ulët. Sidoqoftë, për të gjithë qytetarët e interesuar dhe kuriozët, pas daljes së emrit dhe CV-së së të përzgjedhurit, ky “reality show” mbaroi aty. Të paktë janë ata që janë të interesuar se si u zgjodh, pse u zgjodh, kush e do, kush nuk e do, kush e votoi, kush abstenoi… ore thjesht u caktua presidenti i ri dhe kaq!
Personalisht mendoj se ishte një rezultat i dëshirës së partnerit tonë strategjik me miratimin e lidershipit aktual qeverisës. Në të gjitha mënyrat e zgjidhjes, rezultati i këtij ekuacioni ka vetëm vlera pozitive! Në këto kohëra të trazuara, ne nuk kemi luksin të zgjedhim një profil tjetër presidenti, prandaj çdo diskutim më duket i pavend apo thjesht retorikë politike e zbërdhylët!
Debati që zien më së tepërmi në vorben e rrjeteve sociale, është ai i vlefshmërisë juridike të procedurës së lirimit nga detyra si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA. Nuk jam jurist të jap opinionin tim, por mendoj se juristët pranë pushtetit me siguri i kanë llogaritur me detaje të gjitha “kleçkat” juridike dhe shkopinjtë nën rrota nga ata që nuk i kënaq emri i presidentit të ri. Ndoshta Presidenti në ikje, nuk do të dëshironte ta dhuronte atë firmë, të cilën duket se e pati me detyrim/përcaktim. Firmosja që nga Stambolli, mbase është bërë enkas që të “bezdisë” procesin dhe pse jo, të nxisë ndonjë reaksion që do të shtonte ndonjë pikë krediti në “trastën politike të boshatisur” të presidentit opozitar!
Jam i idesë se nuk ia vlen të merresh me procese që nuk kanë kthim prapa!
Qytetari Bajram Begaj është Presidenti i ri i Shqipërisë dhe ky është fakt!
Nuk ia vlem të merremi me asgjë tjetër në lidhje me këtë fakt me përjashtim të asaj se çfarë ky profesionist i nderuar dhe i respektuar nga ata që e njohin, do të bëjë në zyrën më të lartë të shtetit!
Një mjek i shërben njerëzve me përkushtim sipas betimit të Hipokratit!
Një ushtarak ekziston për të përmbushur deri në fund detyrat e tij luftarake!
A nuk është e besueshme një që president mjek-ushtarak të kryejë me përgjegjshmëri dhe me sukses detyrat e tij kushtetuese?!
Deri sa ta shohim në veprim, nuk kemi përse ta paragjykojmë. Ai mund të mos jetë aq i lehtë për t’u shitur apo për t’u blerë. Në të kundërt, do të ishte “thjesht” një mundësi e shpërdoruar për shtetin dhe për kombin!