Lëvizja Socialiste për Integrim, ka prezantuar programin politik, në një kohë kur na ndajnë 90 ditë, nga zgjedhjet e 25 prillit.
Ish-deputeti Edmond Haxhinasto, ka folur në prezantimin e programit politik. Haxhinasto, deklaroi se; plani i LSI-së, synon qëndrueshmëri dhe jo zgjidhje momentale.
“Në planin tonë nuk ka dhe nuk do të ketë zgjidhje momentale, populiste apo klienteliste si mazhoranca, por zgjidhje që synojnë qëndrueshmëri, kështu janë dhe propozimet tona për tërheqjen e investimeve. Shumë nga propozimet tona janë vizionare, i shërbejnë ndreqjes së gabimeve, por krijojnë edhe perspektivë. Programi ynë synon të eliminojë qeverisjen e trukuara e buxheteve fasadë dhe të bëjë matësin e vetëm koston e jetesës. Rritja e borxhit publik, s’do të jetë pjesë e këtij programi. Programi ynë parashikon uljen e kostos së qytetarëve, duke shtuar më tej zhvillimin e industrisë ushqimore, rritjen e prodhimit vendas. Synim është kthimi i besimit te mirëqeverisja. Kanë efekte të menjëhershme, jo premtime për kohën e ardhshme”, ka thënë Edmond Haxhinasto.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është shprehur se; prioritet në programin e forcës politike që ajo drejton, janë; punësimi dhe ekonomia.
“Kemi një program që ka në synim punësimin me paga të larta. Është koha për ndryshim. LSI ka hartuar politika specifike për të ulur koston e jetesës dhe për të rritur standardin. Politikat e LSI janë të drejtpërdrejta. Punësimi dhe ekonomia është prioritet i panegociuseshëm për ne. Të gjithë e mbajnë mend premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Ne synojmë punësimin e të rinjve dhe profesionistëve. Kemi rënë dakord me taksën e sheshtë 9% me PD-në. E kemi parë formalizmin e ekonomisë si një bashkëpunim me biznesit dhe shtetit” – kështu është shprehur Monika Kryemadhi.