Vlora, është kthyer në qarkun më të nxehtë të këtyre zgjedhjeve, ku vetë Presidenti Meta, është angazhuar publikisht, se do të qëndrojë në qytet, deri në ditën e zgjedhjeve.
Sipas tij, kjo është për shkak të një telefonate që vetë Rama bëri publike me Gjiknurin, e ku premtonte se do të bënte një të ngjashëm me atë të Dibrës në Vlorë, ndërkohë që mediat e majta në orët e fundit kanë tentuar që të nisin përçarjen brenda vetë radhëve të LSI-së.
Sipas disa mediave dhe gazetarëve pranë qeverisë, LSI ka dyshime se Luan Rama, mund të ketë bërë një pakt të fshehtë me Damian Gjiknurin dhe për këtë shkak, tashmë partia që drejtohet nga Monika Kryemadhi, po promovon vajzat që janë poshtë numrit 1 në listën e Vlorës.
Për të përfocuar këtë tezë, mediat kishin cituar një takim që numri 2 i LSI-së Petrit Vasili kishte pasur në Vlorë, ku Luan Rama nuk ishte i pranishëm, dhe në një postim në rrjet ai shkruante se Vlora duhet t’u besonte vajzave.
Po si qëndron e vërteta për këtë ”përçarje” dhe mungesë besimi të LSI-së te Luan Rama?
Vetë i pari i listës së Vlorës, është shprehur sot se në këto teza nuk ka asgjë të vërtetë dhe ai ka qenë dhe do të jetë i nderuar që LSI, i ka besuar një qark të rëndësishëm siç është Vlora. Rama është shprehur se ai ka qenë dhe do të mbetet në krah të LSI-së, e çdo socialisti që nuk ka lidhje me Rilindjen.
”Kam qenë dhe jam krah i LSI. E kam për nder që jam Socialist, unë bashkëpunoj me të gjithë socialistët e Vlorës që nuk janë pjesë e RILINDJES. Por këto janë deklarata përcarëse që nuk ia vlejnë tu kthesh përgjigje”, është shprehur Luan Rama nga Vlora, teksa ka denoncuar dhe presionin që po iu bëhet qytetarëve për të votuar PS-në.
Rama denoncoi me emra të gjithë drejtuesit lokal në Vlorë, që sipas tij po ushtrojnë presion mbi administratën, në mënyrë që të votojnë për PS-në.
Vlora është qyteti ku kandidon në vendin e tetë të listës dhe vetë kryeministri Edi Rama, ndërsa në krye të listës së PD-së qëndron ish-kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, i cili në fakt njihet edhe për miqësinë e tij me presidentin Meta.
Kjo ndërthurje emrash, e ”miqësish” e bën garën për Vlorën një nga më interesantet në zgjedhjet e 25 Prillit…