Luan Rama: Marrëveshje me PD, ta çojmë vendin drejt qeverisë tranzitore

0
4

Zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së LSI-së, thotë se u vendos të finalizohet një marrëveshje me PD dhe frontin opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira. Ai thotë se e vetmja zgjidhje për situatën politike është një qeveri tranzitore.

“Në këtë kontekst, Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Luan Rama ka replikuar më tej me kryeminstrin e vendit.

“Dëgjova pak më parë kryetarin e qeverisë të flasë në Kuvend për të ashtu quajturën kënaqësi të opozitës në lidhje me votimin më të fundit të Parlamentit të Hollandës, i cili ka kërkuar rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Më parë se të akuzojë opozitën, dhe më parë sesa të nxjerrë zëdhënësit e vet mjeranë për të justifikuar, ky moment ka nevojë për reflektim. Ka nevojë për reflektim dhe për të parë realisht situatën e kriminalitetit, situatën e trafiqeve, situatën e korrupsionit. Sepse në tërë palcën e sistemit politik shqiptar aktual nuk ka gjë tjetër për veç se krim, korrupsion dhe shpërdorim. Prandaj problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha që pasi të kemi çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes qeverisë transitore, t’i çelim rrugën reformimit tërësor te sistemin politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur , i kriminalizuar”.