“LUFTA E TRETË BOTËRORE” E RIDVAN DIBRËS- Nga Gëzim Puka

0
330
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Gëzim Puka

I ndikuar prej ca kujtimeve dhe situates turistike me erdhi ideja per sproven e meposhtme…

“LUFTA E TRETË BOTËRORE” E RIDVAN DIBRËS

Është pjesë e bukur, por ka gjithfarë të marrësh, mos na e djegin teatrin njerëzit e kanunit?
Mbeta si i shtangur, u befasova, unë anëtari i bordit artistik të Bashkisë në mandatin tim të dytë, kur dikush nga të pranishmit në mbledhje e tha këtë fjali për njërën nga pjesët konkurruese të projekteve për vënie në skenë. Ishte fjala për dorëshkrimin e dramës së Ridvan Dibrës “Lufta e Tretë Botërore”.
Ishte ai rasti tipik kur “serioziteti” institucional takohet me shpotinë e artistit. Me pak fjalë, “Lufta e Tretë Botërore” trajtonte ngjarjen e ardhjes së turistëve të parë në bujtinat malore të hapura në Shqipëri pas izolimit të gjatë shumëshekullor dhe gjysmëshekullor, bash në kohën e inercive të anormalitetit dhe agresivitetit që kishte lënë e shkuara, e që kulmoi me ‘97-ën.
Në një familje tipike malësore po trokisnin tashmë jo më me refrenin e “qylit”: “A don miq, o i zoti i shpisë?”
Po trokisnin turistët e parë në kullën e çmitizuar në bujtinë turistike.
“Në pragun e Bujtinës, të ulur, rrinë Gruaja dhe Burri. Gruaja mban një veshje krejt moderne, kurse Burri është veshur gjysmë tradicional e gjysmë modern. Burri, me duart që i dridhen, përpiqet gjatë gjithë kohës të dredhë një cigare. Kurse Gruaja shihet e rregullohet pa pushim para një pasqyre të vogël, që mban në njërën dorë.”
Kulla ishtë bërë hotel, por të zotët e saj nuk ishin personel pritës i zakonshëm i një strukture turistike. Ato ishin rritur me kanun e me nder, ishin edukuar me trimni e me pushkë. I biri shtie me armë kot së koti. E ëma admiron trimëritë e tij. Ndërsa i zoti i shtëpisë, pak më romantik dhe i joshur prej “lahutës së butë”, po pret me shumë ankth prurjet e para në valutë.
Moderniteti socialist me mjetet e tij të varfra nuk kishte lënë shumë gjurmë në zemrat plot patos të malësisë. Kishte ardhur demokracia e bashkë me të edhe paraja. Po kanuni?!
Ja si shfryn Gruaja shpeshherë brenda tekstit: “GRUAJA (e nxehur): Boll e përmende Kanunin! Na e shpife me te… Kanuni, Kanuni! Tash që nuk je i zoti për kurrgja, po don me u mbështet në Kanun… Si shkopin e keni ba Kanunin, si shkopin e pleqnisë.”
Karakteret dramatike janë shprehje e anonimatit tonë folklorik, që, përmes një modestie të shtirë, fsheh ëndrrën e brendashkruar për dukje. Kështu ruhet edhe anonimati “i tjetrit”, personazheve të huaja, që priten të vijnë në skenë. Ata sillen sipas formatit të karaktereve të paemër, jo prej ndikimit të stilit “të lartë” folklorik, por prej stilit të ulët të barcaletave. Personazhe parodike, si: amerikani, rusi, kinezi, turku hyjnë në skenë si në një vendndodhje apo vendtakim paragjykimesh.
Gjithë ajo që vjen më tej është një komedi e situatës kur takohen ndryshueshmëri të mëdha kulturash. Vendasit që kanë thjesht interes material, kundrejt të huajve të stereotipizuar si eksploratorë natyre e kulture. Të huaj që na njohin më mirë se njohim ne veten tonë.
“BURRI: Rri, mori dreq! Mos len nam… Se nuk vijnë për cicat tueja ata. Apo merr vesh? Vijnë për Kanunin e Maleve, për Kanunin e Lek Dukagjinit. Studiues janë… merren me shkencë të madhe… Si tha msusi? “Kanuni i Lek Dukagjinit dje dhe sot”. Apo merr vesh? Kanuni dje edhe sot… Janë njerëz të ditun. E flasin shqipen edhe ma mirë se na. Nuk e kanë mendjen te cicat…”
Vendasit që kanë kanun të lashtë, nder e ligje të pashkruara e të memorizuara, kundrejt të huajve pragmatistë e me ligje të shkruara. Vendasit me nder e besë, por hilecakë në biznes.
“GRUAJA: Rri, he rrezik! Janë shumë, thotë… Budallë. A harrove se jena zonë turistike? Edhe çmimet turistike i kena… (Pak pauzë). Edhe me rusin nuk e kam problem. E gostitim me raki, raki kumbulle. Kemi boll, dy damixhana plot. Rusët mbarojnë për raki kumbulle, e pinë si ujin. Edhe na, si ujin po jua japim. Pesë euro kupa… (Pak pauzë). Ma problem e kam me amerikanin… Nuk po di tamam se çka pinë amerikanët?… Diku thuhet uiski, diku tjetër konjak, diku rum, diku xhin… Punë dreqi! (Kruan kokën). Por ia kam gjet’ zgjidhjen edhe amerikanit: kam saju një pije speciale veç për te. E meriton… asht ma i pasuni prej tyne…”
Të huaj “naivë” dhe të pabesë, që kërkojnë të përfitojnë nga nëntektet kuptimore të kanunit.
“AMERIKANI (ngrihet në këmbë, duke u lëkundur paksa nga pija): Mos u ngut, miku im!… Mos nxitoni, miqtë e mi… (pak pauzë). Unë thjesht po kërkoj një të drejtë… jo vetëm për vete… por për të gjithë ne, miqtë e mi. Edhe për ty, rus. Edhe për ty, turk. Edhe për ty, kinez… Për të gjithë! Sipas Kanunit… Kanunit të Maleve… (përsëri pak pauzë). Mos harroni se kemi një status special: jemi mysafirë në këtë Kullë…”
Në skenën e parë nga dialogu i shpejtë mësojmë diçka rreth personazheve pritës Burri, Gruaja dhe Djali. E veçanta e këtij të fundit është se ai nuk flet asnjëherë gjatë gjithë pjesës. Gruaja dhe Burri debatojnë rreth Kanunit. Vërehet stadi admirativ, që sjell njohja sipërfaqësore për nenet e kanunit nga ana e Burrit, si dhe blasfemia e gruas ndaj papërshtatshmërisë së këtyre ligjeve në të tanishmen.
Edhe turistët janë paraqitur si njohës të kulturës shqiptare dhe të Kanunit në veçanti, sidomos Amerikani pretendon edhe njohjen e nënteksteve të tij kuptimore.
“AMERIKANI (duke goditur sofrën me grusht): E thotë edhe pikë! (Pak pauzë). Tani, as mua nuk po më kujtohet se në cilin nen e thotë… edhe pak kemi pirë… Por që e thotë, e thotë! Një: gruaja duhet t’ia lajë këmbët mikut. Dy: gruaja duhet t’ia bëjë gati dhomën e gjumit mikut. Dhe tre: gruaja duhet të flejë me mikun!”
Përgjatë dialogut përpunohen ironikisht tema tabu, që shpallin cektësinë e dijeve sipërfaqësore, kur kulturat ndeshen me interesa njerëzish meskinë. Nuk është profanimi i Kanunit ide e kësaj tragjikomedie, por është loja me pozicionet fanatike të injorancës praktike.
Metaforat tensionuese hormonale mbulojnë e fshehin një amoralitet më të thellë filozofik, historik e shoqëror. Mbulojnë konfliktin midis qenies dhe dukjes. Inkuadrimi i patosit epik legjendar në skenën-sofër groteske e dukjes së shqiptarit kanunor, kontraston me racionalitetin e turistëve që vijnë nga fuqi tradicionale të mëdha politike. Nënkuptohet dija e lexuesit për stereotipin e amerikanit, rusit, kinezit, turkut. Janë stereotipe të njëkuptimësuara për këdo që njeh pak historinë e këtij vendit tonë të lashtë. Turku pushtues shumëshekullor, rusi “mik” i pabesë, kinezi aleat hilecak, amerikani dominues. Këta janë turistët arketiporë në mendjen e autorit dhe të lexuesit.
Simboli i gjinjve (cicave) është një tjetër simbol arketipor që ka lidhje me energjinë që i është mjelur historikisht këtij vendi. Të rishfaqur simbolikisht si turistë ata vërtet sjellin euro, por edhe kërkojnë të marrin shumë më tepër. Së bashku me zakonet parodizohet edhe nderi, dinjiteti dhe krenaria boshe e vendasve të atrofizuar.
Metafora turistike mbulon difidencën e vjetër ndaj të huajit dhe të huajve ndaj nesh. Kjo është edhe arsyeja e përdorimi të stilit komik prej barcalete në përcjelljen e tragjikes. Nuk ka një “deus ex machina”, askush nuk vjen nga qielli për të shpëtuar dikë. Heshtja kobndjellëse e Djalit paralajmëron furtunën, nëse preken të tilla çështje.
“BURRI (spektatorëve, duke mbajtur me mundim gruan): Qe, edhe historia! Kët’ fund pati. Katër të vramë. Sebepi? Dihet sebepi i sherrit… Femna, si gjithmonë. (Me kujdes e shtrin gruan te pragu i Bujtinës). Katër të vramë, pra. Për një natë. Prej tanë botës. Prej vendeve ma të fuqishme. Qysh nesër kanë me shkru gazetat. Po, po, qysh nesër. Gazetat e tanë botës. Krye-lajm ka me kenë. KATËR TË VRAMË TE BUJTINA E GJINIT. Një kinez. Një rus. Një amerikan. Një turk. Tash e marrin vesh shtetet e tyne e tash mërziten fort… Edhe tash lypin me gjet’ fajtorin. Te njeni – tjetri kanë me e kërku. (Kruan kokën). Rusi tash fajëson amerikanin. Amerikani tash ban me faj kinezin. Turku – rusin. Kinezi – po amerikanin… Lamsh tash bahen punët. Edhe rrezik me nis’ lufta. Lufta e Tretë Botnore! Se njikshtu kanë nis’ tanë luftnat. Për faj të femnave!…”
Apo jo?”
Të mësuar me lexim të drejtpërdrejtë duke përjashtuar simbolikën, analogjitë, dredhitë dhe ironitë kuptimore nga teksti letrar, nuk mund të mbërrihet veç në një fund të tillë, ku nuk shpëton askush. Pas gjithë kësaj situate komike vjen një finale parodike gjaksore. Askush nuk mbetet i gjallë nga turistët e grirë nga plumbat e Djalit.
Në kuptimin tonë është vrasje vetëm e disa stereotipeve pa mish e gjak, që mishërojnë të vetmen gjë, paragjykimin dhe mediokritetin.
Historia dhe luftërat imagjinare të skenës kanë një nisje të ngjashme me ato të njëmendësinë. Pretekstet dhe përplasjet që krijohen nga moskuptimësia nuk e tërheqin shkrimtarin nga misioni i tij, që përmes çmitizimit të tregojë të vërtetat estetike dhe kuptimet e tij mbi botën.
Prandaj më dukej se regjisori, që kishte sjellë platformën e tij për miratim në Bordin tone, e kishte parashikuar edhe paragjykimin fanatik të ne miratuesve, ndaj edhe vizioni i tij skenik dukej me shumë si një mbrojtje prej avokati.
Pjesa, ndonëse në Konkursin për Dramë Kombëtare “Katarina Josipi” – 2012, ishte vlerësuar me çmimin e parë, nuk u vu në skenë, personazhet shpëtuan dhe teatri nuk u dogj.

Zjarr Tv Ad