Lulbashë Kostandini dhe autorizimi, nga përtej varrit, për ‘tri dhoqinat’

0
44
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Alfred Lela

Padrejtësia që nxori krye të premten pasdite, duke u rrokullisur nga gjykata e Apelit disa qindra metra më poshtë, drejt selisë së Partisë Demokratike, ushtoi në të gjithë Shqipërinë.

Në mes, si një sanduiç, kishn mbetur një grusht njerëzish, të njohur herë si grupi i Bashës e herë si i Alibeajt, që në fillim u panë me përçmimin e zakonshëm të sekserëve të mbrapshtisë. Të atyre që nuk e kryejnë dot vetë, se mbrapshtia kërkon guxim e vet, por e mundësojnë atë dhe me anë të saj, të keqen.

Rreth 48 orë më vonë gjërat u shpalosën në një dritë tjetër. Prozhektori u zhvendos nga padrejtësia mbi një pellg poshtërsie, që nuk i ndahet veprimeve njerëzore që ngrihen mbi shpenzimet e së drejtës.

Lulzim Basha, i cili më 21 mars 2022 doli publikisht dhe dha dorëheqjen si kryetar i PD, thuajse një vit më vonë, më 6 mars, na lajmëroi të kundërtën. Ai e kishte dhënë dorëheqjen duke mos e dhënë atë.

Ish-kryetari i PD u ngrit nga varri politik si Kostandini nga tumba e gojëdhanës, dhe autorizoi tri “dhoqina” për të kryer regjistrimin e partisë në zgjedhje. Ligji nuk ka një nen për pafytyrësinë, por gojëdhanat për fytyrat që e bartin turpin mbeten përgjithmonë.

Me siguri, kjo “ringjallje” apo “rilindje” e Lulzim Bashës, disa i bën me turp e disa të tjerë i gëzon. Te këta të fundit mund të numërosh Edi Ramën dhe ndjekësit e tij. Ambasadorja Kim duhet të jetë diku mes gëzimit dhe turpit. E gëzuar sepse ka edhe një aksesor politik për ‘t’ia futur’ Sali Berishës, dhe e turpëruar sepse i përzgjedhuri i saj, Basha, nuk e kreu dot detyrën. Thuajse dy vjet më vonë politikani të cilin ajo u nis për të fundosur, u bë nga katër kryesorët në Shqipëri, një ndër dy të tillët.

Veç kësaj, në terma të marrdhënieve publike, ambasadores i duhet të nivelojë atë që dihet për Bashën dhe raportet e tij të debatuara me Amerikën për shkak të “dosjes ruse” dhe mbështetjen që ajo i ka dhënë atij, pavarësisht dijenisë për implikimin e dyshuar. Shefi i saj, G. Escobar, pati thënë se mezi priste që Basha të vizitonte Uashingtonin dhe të flisnin për tema dhe zgjidhje, por kur ish-kryetari, më në fund, e mori vizën dhe udhëtoi në DC, nuk takoi askënd veç analistëve të një think tank-u amerikan.

Yuri Kim duket se bëri të pamundurën dhe të pamendueshmen në Shqipëri. Si pasuese e Ryerson-it dhe përfaqësuese e vendit që instaloi opozitën e parë paskomuniste në Shqipëri, pikërisht Partinë Demokratike, ajo u bë ambasadorja që, kur të lërë mandatin në disa muaj, do ta ketë katandisur Shqipërinë thuajse oa opozitë.

Gjatë mandatit të saj, pushteti kalëroi një fushatë korrupsioni dhe intimidimi publik të kundërshtarit dhe shoqërisë, dhe përfaqësuesja e vendit më të dashur për shqiptarët u pa gjithmonë në krah të mujsharëve (bullizuesve). Fotot e saj me Ramën, ministrat dhe eksponentë të pushtetit, janë një krupë e sigurt për ata që shija e mirë u ka lënë ende zorrë në bark.

Teatri psikotik politik që zonja Kim lë pas është një moment për t’u studiuar, sot e në të ardhmen. Dëmi mbetet. Dhe për dëmin historik nuk mund të autorizosh askënd ta meremetojë.

Zjarr Tv Ad