Ditën e sotme, lideri demokrat Lulzim Basha, është takuar me të rinj dhe të reja ku kërkojnë ndryshim dhe shpresë, pasi sipas Bashës, të rinjtë janë e ardhmja e vendit
Sot pata kënaqësinë të takohem me të rinj dhe të reja që kërkojnë ndryshim dhe punojnë çdo ditë për të sjellë shpresë dhe frymëzim në vendin tonë. Vendosmëria dhe përkrahja e tyre është motorri i aleancës tonë mbarëqytetare për ta ndryshuar Shqipërinë më 25 prill, të gjithë së bashku.
Ndava me të rinjtë në sallë dhe me të tjerë virtualisht, shqetësimin se Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Edi Ramën.
Ai ka dështuar në çdo fushë dhe nuk mund ta nxjerrë vendin nga kolapsi ku e ka zhytur. 75% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi, ndërsa 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen. Rama hartoi ligjin për arsimin e lartë për t’i nënshtruar studentët, pedagogët dhe universitetet shqiptare.
U angazhova edhe një herë para studentëve, se pas 25 prillit ne do ta abrogojmë këtë ligj dhe do të shkruajmë bashkë me ta një ligj të ri që garanton autonominë universitare dhe cilësinë e arsimimit të tyre.
Risolla përpara të rinjve angazhimin për të mos lënë asnjeri pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike.
Studentët nga familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë të reja/muaj do të përfitojnë 100% financim të tarifave të studimit, ndërsa të tjerët 50%.
Theksova edhe angazhimin tjetër të rëndësishëm për 10 mijë stazhe të paguara. 300 mijë lekë në muaj çdo vit për studentët tanë më të mirë.
Unë jam i bindur se të rinjtë dhe të rejat sot janë shumë të ngjashëm me rininë europiane. Rinia shqiptare është zemra e projektit tonë për të sjellë ndryshimin dhe shpresën.
Prandaj u bëra thirrje të rinjve dhe të rejave të pranishme që të bashkojmë shpresat dhe energjitë, dhe ta përcjellim frymëzimin derë më derë.
Të gjithë bashkë mund ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Me këtë bashkim të madh shqiptarësh dhe shqiptaresh të reja, jam i bindur se më 25 prill, Rama do të humbë dhe rinia shqiptare do të fitojë, Shqipëria europiane do të fitojë.