Kreu i PD Lulzim Basha, vazhdon turin e takimeve me demokratët në gjithë vendin për të rikonfirmuar dhe njëherë mbështetjen për drejtimin e Partisë. Para demokratëve ai është zotuar se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen nga PD.
“Gjurmët e krimit ndodhen kudo”, i tha Basha demokratëve të Vorës dhe Kamzës, ndërsa theksoi se kundërshtari përdori të gjitha mjetet për vjedhur zgjedhjet, shkruan newsbomb.al.
“Kundërshtari ka përdorur të gjitha mjetet për të asgjësuar të vetmin institucion, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Miqtë e mi, cila është detyra e PD përballë regjimeve? E kemi kryer këtë detyrë para shqiptarëve në vitin 91-92. Ju e dini fare mirë se 91 solli zgjedhje pas 50 vitesh diktaturë, por nuk solli zgjidhje.
Edhe 25 prilli solli zgjedhje por nuk solli zgjidhje. Ne kemi qëndruar fuqishëm, si në 91. Besuam se regjimi po merte fund.
Nga këto zgjedhje PD doli më e fortë dhe më e madhe, ka qenë dhe është parti e vlerave dhe e shqiptarëve. Shqiptarët e besuan se betejën e kemi bërë dhe e bëmë për ta. Prandaj nuk ka gëzim te kundërshtarët, se e dinë që nuk kanë vjedhur fitoren tonë, por aspiratën e shqiptarëve për ndryshim. Gjurmët e krimit ndodhen kudo”, u shpreh Lulzim Basha ndër të tjera.