Lulzim Basha i përgjigjet Berishës: Ai dhe Rama dy anë të së njëjtës medalje…

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nëse Sali Berisha vazhdon ta quajë ish-kryetarin, lideri i thyer apo peng i Edi Ramës, Lulzim Basha ka vendosur t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë. I pyetur për nga gazetarët përpara selisë së PD-së për deklaratat e Berishës, ai ka vënë një shenjë barazimi mes kryeministrit dhe liderit historik të PD-së: Ai më akuzon njësoj si Rama, ato janë dy anë të së njëjtës medialje, ka qenë mesazhi i tij. “Për tetë vite më radhë Rama më ka akuzuar si kukull e Berishës, tani ai më akuzon si peng i Ramës. Asnjëra nuk është e vërtetë” ka thënë kreu i PD-së

Me këtë deklaratë, Basha po bën përpjekje për të pushtuar hapsirën e tij politike ndërmjet dy dinosaurve, një kryeministri tejet prezent në publik dhe mes rikthimit të zhurmshëm të Berishës, duke u diferencuar edhe nga njëri edhe nga tjetri. Shprehja e artikuluar me bindje dhe me ngadalësinë e një mesazhi që tenton të memorizohet, ashtu sikurse duket edhe në videon sipër, se akuzat e Berishës dhe ato të Ramës janë dy anë të së njëjtës medalje, duke i vënë atë të dy në të njëjtin nivel, është një tregues i qartë.

Nëse Berisha e akuzoi dje se po bën lojën e Ramës, Basha ia ktheu sot se ai përdor të njëjtat shpifje si kryerilindasi. Të martën nga Fieri, Berisha foli për një marëveshje në distancë mes tyre. “Ai nuk e dërgon kurrë këtë parti në fitore. Ju ftoj të shtrojmë një pyetje: Do u flas për gjuhën e kodit. Del një ditë kryetari i opozitës dhe zotohet se do ndryshojë Kushtetutën. Por çfarë do ndryshosh ti në Kushtetutë? Ku i ke votat për të ndryshuar Kushtetutën vetëm me 44 deputetë? Para dy ditësh, Rama krijoi grupin për ndryshimin e Kushtetutës. Pra kjo është gjuhë kodi, thuaje ti që të ndjek unë, se kjo është e imja. Nëse je kryetar i opozitës, çoje popullin në këmbë dhe kërko reformë territoriale, para zgjedhjeve lokale, mos u bë pjesë e lojës së Ramës” tha Berisha.

Sot Basha ia ktheu se misioni i tij është pikërisht ky: rrëzimi i regjimit.

Por, pyetja që po shtrojnë shumë demokratë, sidomos pas 25 prillit, reagimit të squllët për shitblerjen e votës dhe tani pas turit të Berishës është nëse Basha është në lartësinë e kësaj sfide. Me deklaratën e tij të sotme ku tenton të diferencohet njësoj si nga Rama po ashtu dhe nga Berisha, Lulzim Basha do të dëshmojë se po. Por ka një problem. Kjo nuk bëhet duke mos lejuar mbledhje kuvendi, votim dhe referendum demokratik brenda PD-së. Edhe në deklaratën e sotme ai pohoi se është i vendosur ti ndalojë ato: “Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur” tha ai.

E pra, nëse Basha do të bëhet vërtet lider ashtu sikurse pretendon, pra duke mos qenë as peng i Edit dhe as kulull e Saliut, ai nuk mund ta bëjë këtë nën sqetullën e Yuri Kim. Lulzim Basha nuk mund të anullojë demokracinë për të qëndruar në karrigë. Ai mund të jetë vërtet kryetar legjitim pasi ta mposhtë me votë Sali Berishën brenda PD-së.

Zjarr Tv Ad