Dorëheqja si kryetar i Partisë Demokratike e la Lulzim Bashën pa një zyrë në selinë blu, pasi zyrën e kryetarit që e mbajti për rreth 9 vite e zbrazi ditën e djeshme.
Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se ai ka marrë një tjetër zyrë jashtë selisë së Partisë Demokratike. Zyra e re është pranë qendrës “Torre Drin”, në afërsi të selisë së PD-së, ku Basha do të zhvillojë mbledhjet e ardhshme me të besuarit e tij.
Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së pas presioneve të shumta nga Grupi Parlamentar dhe Kolegji i Kryetarëve, pas disa humbjeve radhazi në zgjedhje. Në deklaratën e tij, ai tha se po bënte një hap pas për të bashkuar demokratët, por shtoi se do të vijojë qëndrimin në PD. Nuk dihet nëse Basha do të kandidojë sërish për t’u rizgjedhur kryetar partie, pasi drejtimin e PD-së e ka marrë Komisioni i Rithemelimit.