“Ma jep-ta jap-ta qisë matanë!”

0
35
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Namir Lapardhaja

Nëse do të kishte një vlerë reale firmosja e Deklaratës së Solemnitetit nga krerët e partive politike që marrin pjesë në zgjedhje, kjo do të ishte mosregjistrimi i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, dhe jo mosregjistrimi i Partisë Demokratike.

Pse?! Sepse firmosja e një deklarate të tillë ka për qëllim moskandidimin e individëve me rekorde kriminale, mospjesëmarrje të elementeve të krimit dhe financim nga paratë e tyre të fushatave zgjedhore dhe, siç është e njohur botërisht, në gjithë këto vite, Partia Demokratike dhe, veçanërisht, Lulzim Basha, kur ka qenë kryetar i saj, e kanë pasur kalë beteje ligjin e dekriminalizimit, duke fituar edhe disa përballje të rëndësishme në këtë drejtim, ndërsa, nga ana tjetër, Edi Rama dhe PS-ja, veç problemeve të mëdha me korrupsionin dhe keqqeverisjen, janë telendisur dhe kanë shkelur shpeshherë mbi veten, mbi ato që kanë thënë dhe kanë mbrojtur publikisht, për shkak të rënies në rrjetën e dekriminalizimit të mjaft të zgjedhurve vendor dhe përfaqësuesve politikë.

Ky është një fakt për të gjithë ata që kanë kujtesë. Nuk është perceptim apo opinion. Në këto kushte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje apo Kryekomisioneri për Zgjedhjet sot, duhet që, së paku, të kërkonin ndjesë publike për faktin se institucioni që ata përfaqësojnë nuk ka treguar vigjilencën dhe vullnetin e duhur për të parandaluar kandidimin e elementëve të tillë, të cilët, në të gjitha rastet, kanë qenë përfaqësues të Partisë Socialiste apo miq të ngushtë të Edi Ramës.

Zoti Celibashi do duhej të zbatonte ligjin dhe të regjistronte Partinë Demokratike zyrtare edhe për arsyen e përfaqësimit në çdo zgjedhje me kandidatë dinjitozë dhe të panjollosur nga ligji i dekriminalizimit, çka praktikisht e bën fare të panevojshme firmosjen e një dokumenti të tillë kortezie, sepse kjo forcë e ka treguar me vullnet politikë që është për zbatimin rigoroz të pastërtisë së figurës së kandidatëve të saj.

Jo vetëm që nuk ka ndodhur kjo, por është mëse e qartë se zoti Celibashi, si pjesë e politikës së vjetër dhe të tranzicionit shqiptar, duket se u ka kthyer qokën dy brinjëve të trekëndëshit, të cilët në garën për Kryekomisioner të Zgjedhjeve iu desh të skualifikonin kandidaturën e zotit Ilir Rusmaili për të lënë në garë dhe për të shpallur më pas fitues zotin Celibashi.

Me ç’duket, kjo klasë politike, veç lidhjeve të nëndheshme mes tyre dhe mes klientëve të tyre, mbijeton fuqishëm edhe sepse është ngritur mbi parimin e pazarit të Veterrikut: “Ma jep-ta jap-ta qisë matanë!”

Zjarr Tv Ad