Mbrëmë, Majlinda Kelmendi arriti të merrte medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Lojërave Evropiane Minsk 2019.
Xhudistja rekordmene mposhti në finale me Ippon kampionen e deritanishme të Evropës, rusen, Natalia Kuziutina.
Është kjo medalja e parë e artë në histori të Kosovës në dy pjesëmarrjet në Lojërat Evropiane, ndërsa për Majlindën është titulli i katërt i kampiones së Evropës, pasi garat e xhudos në Minsk shërbejnë edhe si Kampionate Evropiane.
Pas triumfit, kampionia dha një intervistë për mediat kosovare ku tregoi se fitoren ia dedikon një të afërmi të vecantë, i cili ka ndërruar jetë para disa muajsh.
“Këtë medalje ia dedikoj një personi që ishte shumë i veçantë për mua, djalit të tezes sime, Labinot Harbuzi, të cilin fatkeqësisht e kemi humbur disa muaj më parë. Ai ka qenë idhulli im i parë kur isha 12 vjece. Ai ka besuar gjithmonë në mua dhe më ka thënë gjithmonë se jam më e mira në botë, kështu që këtë medalje ia dedikoj atij”, tha Majlinda.
Ndër të tjera, ajo rrëfeu se si ndihet pas kësaj fitoreje të madhe dhe nuk harroi të falenderonte shqiptarët që e përkrahën në këtë rrugëtim.
“Sigurisht që po ndihem shumë e lumtur. Është hera e parë për mua që marrë pjesë në Lojërat Evropiane, që në sportin tonë janë të njëjta me kampionatin evropian, arsye për të cilën marrim dy medalje në një ditë.
Realisht ishte një ditë e gjatë dhe e vështirë, me mjaft stres, duke pasur parasysh se dy vitet e fundit nuk morra pjesë në kampionate, për shkak të lëndimeve. Sot isha mjaft e motivuar dhe besoj se gara shkoi shumë mirë.
Finalja shkoi ashtu siç dëshirova. Rusja është shumë e fortë fizikisht, por në fund bëra gjuajtjen e hodha dhe thjesht ndjeva atmosferën e mirë që më rrethoi aty dhe shumë shikues që ishin dhe patën mundësinë me na përkrah. Jo shpesh kemi mundësi të shohim shqiptarët në këto nivele të na përkrahin kështu që thjesht i falënderoj”, u shpreh Majlinda.