Policia Rrugore vijon kontrollet me dron dhe radarë me qëllim parandalimin e aksidenteve në rrugë. Gjatë 48 oërve të fundit janë evidentuar nga makina inteligjente 668 drejtues mjetesh, janë ndëshkuar 2342 shoferë për shkelje të ndryshme.
Gjatë fundjavës janë arrestuar 28 shtetas, nga të cilët 21 për drejtim mjeti në gjendje të dehur (me masë alkooli deri në 3 mg/l) dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë pezulluar 223 leje drejtimi, nga të cilat 151 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 61 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme, vijojnë kontrollet intensive në të gjithë vendin, duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjatë 48 orëve të fundit janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 668 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 2342 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
- Janë pezulluar 223 leje drejtimi, nga të cilat 151 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 61 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.
- Gjatë fundjavës janë arrestuar 28 shtetas, nga të cilët 21 janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur (me masë alkooli deri në 3 mg/l) dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.