Apeli i Posaçëm ka dhënë vendimin përfundimtar për Arbër Çekajn, të cilin e ka dënuar me 21 vite burg për aktivitete të paligjshme.
Duke qenë se ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, Çekaj do të vuajë përfundimisht dënimin me heqje lirieme 14 vite burg. Ndërkohë që Donaldo Lushaj, administratori i firmës “Arbi Garden”, do të vuajë një dënim me 10 vite e 8 muaj burg, ndërsa Armando Pezaku, shoferi i kamionit ku u gjet kkaina do të vuajë 8 vite e 8 muaj, burg, po ashtu përmes uljes së dënimit nga gjykimi i shkurtuar.
Avokati mbrojtës i Çekajt, Maks Haxhia, tha se vendimi i gjykatës është i paprecedent, pasi ndaj klientit të tij nuk është paraqitur asnjë prove.
“Gjyqtari doli me një letër bakalli, është për të ardhur keq që kjo gjykatë është kthyer në një noter të prokurorisë, një Gjykatë që sma lejon edukata ta them. Gjykata e dënoi klientin tim pa asnjë provë, Arbër Çekaj e solli të gjithë mbrojtjen e tij me shkrim dore dhe nuk ia pranuan”, u shpreh Haxhia në dalje të GJKKO-së.
Tre personat, Arbër Çekaj, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, u dënuan për pjesëmarrje në aktivitete të paligjshme në bashkëpunim. Vetë Çekaj i ka quajtur të montuara politikisht, akuzat e ngritura ndaj tij, ndërkohë që sipas tij ai mbante përgjegjësi vetëm për sasinë e bananeve që kishte porositur, dhe jo për lëndën tjetër që mund të ishte futur në kontenier. Pak muaj më parë u arrestua dhe babai i Arbër Çekajt, të cilit po ashtu iu gjet një sasi dorge në kontenierët që kishin mbërritur mes bananeve nga vendet e amerikës latinë. Asokohe Çekaj do të shprehej në seancë se babai i tij, ishte një profesor i nderuar dhe nuk kishte asnjë lidhje me këto akuza.
“Herën e parë e çuan kontenierin në magazinë, ndërsa këtë herë e hapën në portin e Durrësit qëllimisht. Ka një klan të caktuar që implikon familjen tonë, po na trajtoni si kulakë. Babai im është 72-vjeç, profesor i nderuar”, ka thënë Çekaj. Seancat ndaj Arbër Çekajt, janë ndjekur nga afër dhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë, ndërsa biznesmeni shqiptar ishte futur në listën e ”peshqve të mëdhenj” nga paraardhësi i ambasadores Yuri Kim, Donald Lu.