Maliq, prostitucion dhe trafik droge, 7 të arrestuar, 1 në kërkim

0
39

Shtatë persona janë arrestuar nga policia në Maliq të Korçës dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Të arrestuarit ishin pjesë e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, trafikimit të të miturve dhe armëmbajtjes pa leje.

Policia thotë se një ndër të arrestuarit është pjesëtari i një organizate kriminale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë në Greqi.

Të arrestuarit janë:

  •  R.L, 33 vjeç, banues në Drithas, Maliq, (i dënuar më parë në Greqi për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja me armë”, vepra penale këto të kryera në kuadrin e organizatës kriminale);
  •  M.F, 37 vjeç, banues në Kakaç, Maliq;
  •  E.B, 34 vjeç, banues në Petrushë, Pogradec;
  •  R.M, 29 vjeçe, banuese në Kakaç, Maliq;
  •  E.K, 26 vjeç, banues në Zerec, Maliq;
  •  O.M, 39 vjeç, banues në Zerec, Maliq;
  •  Ç.F, 36 vjeç, banues në Kakaç, Maliq (i dënuar më parë për vjedhje) për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;

Në kërkim

  •  L.P, 28 vjeç, banues në Shelcan, Elbasan.

“Nga hetimet e kryera është provuar se shtetasit R.L, M.F, E.B, R.M dhe L.P, kishin planifikuar të trafikonin për qëllim prostitucioni në drejtim të Greqisë një shtetase të mitur.

Gjithashtu shtetasit R.L, M.F, E.K dhe O.M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë të dyshuara Cannabis Sativa, në territorin e fshatit Zerec, Maliq,  të cilat u asgjësuan gjatë operacionit dhe një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës material”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar gjithashtu, 1 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë e ftohtë (thikë) e ngjashme me ato të Forcave të Ushtrisë, 2 granata dore ofensive dhe difensive, një sasi  fishekësh luftarakë, lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një sasi lekësh, dollarësh dhe eurosh, si edhe një automjet tip “Benz”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.