Manastirliu: Kemi kapacitetet për çdo situatë të përballjes me koronavirusin

0
30
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Kemi gati strukturat për përballimin e koronavirusit të ri, për karantinimin e personave të dyshuar, strukturat spitalore për trajtimin e rasteve potenciale si dhe strukturat ku do të zhvendosen shërbimet aktuale, nëse do të jetë e nevojshme. Kemi parashikuar skenarët për çdo situatë, që nga rasti i parë potencial e deri në maksimumin e parashikimit”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë raportimit në Komitetin e Sigurisë Kombëtare, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Duke deklaruar se strukturat në të gjitha nivelet kanë marrë masat paraprake bazuar në rekomandimet e OBSH, Manastirliu siguroi për gatishmërinë e të gjitha strukturave shëndetësore.

“Në skenarët që ekspertët tanë kanë parashikuar, që me konfirmimin e rastit të parë, ne vëmë në dispozicion strukturat që fillojnë me spitalin Infektiv në QSUT, me një kapacitet 80 shtretërish dhe me një forcë të punonjësve të shëndetësisë, 109 punonjës, të cilët do të jenë të fokusuar për të trajtuar sipas protokolleve më të mira rastet e mundshme. Kemi përcaktuar bokset, dhomat e izolimit, është investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në strukturën e Infektivit, për të bërë të mundur transformimin e këtij spitali, nëse do të kalonim në skenaret e tjerë, që do të ishin nga 0 në 100 si dhe 100 deri në 150 raste të prekura. Sigurisht, duke siguruar këtu të gjitha kapacitet dhe nevoja për ato raste të rënda, pasi dihet që 5% e rasteve që konfirmohen me koronavirus janë raste të cilat do të kenë nevojë për suport respirator”, tha Manastirliu

Manastirliu theksoi se për çdo skenar, janë parashikuar kapacitetet e nevojshme, janë trajnuar stafet, është siguruar stoku i mjaftueshëm i medikamenteve, kite reagentë. Aktualisht spitalet janë të pajisura me stokun e nevojshëm të materialeve mbrojtëse personale dhe po furnizohen në vazhdim më stokun e dytë, për të cilin Ministria e Shëndetësisë ka rialokuar një fond prej 1 milion dollarë.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë marrë masat edhe për karantinimin e personave të shëndoshë-të dyshuar, në strukturat e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa deklaroi se janë përcaktuar gjithashtu edhe spitalet e tjera, ku do të trajtohen pacientët për sëmundjet që trajtohen në ato spitale, të cilat do të shndërrohen në spitale për trajtimin e COVID-19, nëse do të jetë e nevojshme.

Deri në këto momente, në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19, ndërsa vijojnë testimet për rastet e dyshuara në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, i vetmi laborator i çertifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për kryerjen e diagnozës së koronavirusit te ri në vendin tonë. Deri tani janë testuar 17 raste të dyshuara që kanë rezultuar negativ. Sipas Ministres Manastirliu, të gjitha struktura shëndetësore janë në gadishmëri për përballjen me këtë virus të ri.

Zjarr Tv Ad