Manastirliu në QSH në Radhimë: Furnizim pa ndërprerje me barna

0
3

“Mbi 19 mijë qytetarë kanë marrë shërbim në qendrat shëndetësore verore që po ofrojnë shërbim 24 orë gjatë gjithë vijës bregdetare dhe në zonat turistike malore”.

Gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore të hapur në Radhimë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se me planin e integruar të masave, garantojmë shërbim 24 orë në zonat turistike.

“Kemi përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor në 28 qendrat shëndetësore verore që funksionojnë në të gjithë zonën turistike, me trajnimin e vazhdueshëm të ekipeve mjekësore dhe koordinimin e punës nga urgjenca kombëtare në territor”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja konfirmoi se të gjitha qendrat verore vijojnë të jenë të pajisura me 52 lloje barnash dhe 26 lloje materialesh mjekësore.
“Nuk mungojnë asnjë prej barnave dhe materialeve mjekësore të urgjencës, duke filluar nga antiviperat dhe antitetanikët, ndërsa furnizimi do të jetë i vazhdueshëm”, – tha Manastirliu.

Nga data 1 Qershor deri më 20 Korrik 2019 janë kryer gjithsej rreth 19.111 vizita dhe trajtime mjekësore dhe vetëm 345 raste janë referuar në spital.
Qendrat verore mbështeten nga 18 autoambulancash përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat malore. Edhe spitalet pranë zonave turistike janë me shërbim të përforcuar. I gjithë shërbimi në zonat turistike po koordinohet nga Urgjenca Mjekësore, nëpërmjet numrit unik 127.