Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur mesditën e sotme, për të marrë vendim lidhur me fatin e mandateve të deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, por edhe të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi.
Me katër votat e mazhorancës pro dhe tre të anëtarëve të opozitës kundër, KQZ vendosi që përfaqësuesit e partive politike të mos e marrin fjalën gjatë procedimit, por vetëm në momentin kur duhet të shpjegohet vota.
Kryetari i KQZ, Denar Biba tha se KQZ nuk është gjykatë në asnjë lloj rasti dhe se duke qenë se është hera e parë që trajtohet ligji për dekriminalizimin, do mundohet të bëhet më e mira lidhur me procedurën e ndjekur.
Mbledhja e sotme është vijim i asaj të martës, pasi KQZ kërkoi që Prokuroria e Përgjithshme të sjellë të dhëna të imtësishme lidhur me vendimet ndaj dy deputetëve dhe kryebashkiakut, para se të merret vendimi.
Në bazë të ligjit të “Dekriminalizimit”, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi që tre zyrtarët duhet të ndërpresin mbajtjen e funksionit publik.