Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e sheh të gabuar idenë e hedhur nga presidentit se për çdo ndryshim kushtetues duhet të ketë referendum, siç ndodhi në 1998. Përmes një postimi në rrjete sociale, ai e sheh si një lëvizje që mbyll derën e dialogut.
“Presidenti i Republikës ka hedhur për konsum publik tezën e ndryshimit të Kushtetutës vetëm me referendum. Sipas tij, Parlamenti (edhe ai legjitim) nuk duhet të ketë të drejtë të miratojë një amendament Kushtetues. Këtë të drejtë duhet ta ketë ekskluzivisht referendumi. E vendosur në kontekstin e politikës së kalbur e cikëlmbyllur të ditëve të sotme, kjo tezë ngjan bukur. Por nëse kjo tezë do bëhej ligj, do ishte ligji më antidemokraci e më antidialog politik e social që Shqipëria do kishte. Do ishte një ligj tejet populist dhe me pasoja të rënda për konstitucionalizmin dhe ndërtimin e shtetit jo politik në vend”, tha ai.
Më tej Manjani ka përmendur disa shembuj. Sipas tij rasti më i freskët është ai i reformës në drejtësi, ku PS tentoi referendum për të kaluar draftin e parë fare. “Për ta ilustruar këtë gjë më vjen ndërmend përpjekja titanike e Edi Ramës dhe Romana Vllahutinit, të cilët për të shmangur dialogun politik në Parlament, madje dhe vetë Ilir Metën, atëherë kryetar i Parlamentit, donin të çonin draftin e tmerrshëm kushtetues në referendum. Atë draftin pa kontrollin e Venecian madje… Një draft që s’të linin as ta lexoje, jo më ta komentoje e kritikoje!!! E ka bërë Reiner thoshte zonja… Ja ky është fiks rezultati i tezës “të miratojmë Kushtetutën me referendum”! Këtë gjë nuk pretendon ta bëjë as Zvicra me thënë të drejtën. Në Zvicër e mbarë botën demokratike bëhen referendume për çështje të rëndësisë së veçantë.
Shqipëria ka nevojë të lejojë referendume për çështje të rëndësishme, padyshim. Fjala vjen shqiptarët duhet të ishin pyetur për cilën skemë të trajtimit të mbetjeve ishin: djegien apo riciklimin. Pra për çështje të tilla që ndryshojnë në mënyrë të pa rikuperueshme të ardhmen e mjedisin si dhe çështje të tjera”, tha më tej Manjani. Sipas tij, Kushtetuta është një dokument kompleks që më së shumti kërkon dialog, debat, reflektim, arsyetim, shkëmbim idesh e pikëpamjesh, profesionalizëm ashtu siç kërkon dhe transparencë të plotë me publikun.