Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani deklaroi në emisionin ‘A Show’ në Syri Tv se situata në Tiranë është si në Sri Lanka. Manjani tha se borxhi publik është rreth 100 për qind dhe për pasojë kemi rritjen e çmimeve. Sipas tij, rritja e çmimeve nuk vjen si pasojë e luftës në Ukrainë.
Më tej, teksa komentoi amnistinë fiskale, ai tha se nuk është për ‘çunat e Londrës’, por për ‘çunat e Tiranës’.
“Kjo sjell çmime të larta, ja ku jemi. Nuk kanë lidhje fare me Ukrainën këto çmime, s’jemi në luftë me Ukrainën dhe as me Rusinë. S’kemi takat. Nuk jemi në luftë, por kemi çmime të larta sepse borxhi publik është i lartë.
Rrit borxhin që të rrisësh çmimet nesër. Informalitet pa fund, drogë, hashash, qeveria thotë t’i legalizojmë. Amnistia fiskale nuk është për ‘çunat e Londrës’, por për ‘çunat e Tiranës’.
Nuk i beson kush nga Londra këta, e bëjnë për veten. Ka 2 milionësha këtej rreth e rrotull në Tiranë që e bëjnë për veten e vet. Sri Lanka është këtu, në Tiranë.”-tha Manjani.
Sa i përket inceneratorëve, Manjani tha se është një histori mafioze ndërsa shtoi se të vdekurit, të rinjt dhe të moshuarit po përdoren për të pastruar paratë e mafies.
“Rama thotë përgjegjësia individuale, por u bënë si shumë këto individët. Kur ti përdor pleqtë, dikush në azil, në hallin e vet, përdorin të vdekur, të varfër që s’dinë gjë, edhe të rinj, mafia është ulur midis nesh.”-tha Manjani.