Maqedoni e Veriut, paqartësi për koalicionin, të martën mbahet seanca konstitutive, 120 deputetë të rinj

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nën masa të veçanta për shkak të koronavirusit, Maqedonia e Veriut mban të martën seancën e përbërjes së re parlamentare. Zgjedhjet e muajit të kaluar nuk i siguruan shumicën asnjërës prej dy partive kryesore maqedonase, dhe vijojnë bisedimet me grupimet shqiptare për koalicionin.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut pritet të martën të mbajë seancën e konstituimit dhe të betimit të deputetëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut.

Procesi elektoral i siguroi shumicën socialdemokratëve në pushtet të ish-kryeministrit, Zoran Zaev, 46 mandate, 2 më shumë sesa opozitarët e VMRO-DPMNE-së.

Duke ditur përbërjen e dhomës legjislative me 120 vende, asnjëra prej grupimeve më të mëdha nuk ka marrë mazhorancën parlamentare.

Si forca përcaktuese të aleancave politike shihen partitë shqiptare, me në krye Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.

15 mandatet e BDI-së së bashku me LSDM-në do të formonin një shumicë të brishtë parlamentare dhe do të mundësonin vijimin e aleancës së shkuar.

Mediet lokale raportojnë se një kusht i shqiptarëve është posti i kryeministrit, që sipas një teorie mund t’u jepet atyre në vitin e fundit të katërvjeçarit qeveritar.

Një tjetër grupim etnik, ai i Aleancës për Shqiptarët i Ziadin Selës, thotë se nuk i beson Ahmetit dhe se po vazhdon negociatat me aktorë të tjerë politikë për të bashkuar 12 mandatet e veta.

Lideri i VMRO-së, Hristjan Mickovski, tha të dielën se ai nuk do e mbështeste një koalicion të zgjeruar me LSDM-në si kundërpërgjigje ndaj bllokut shqiptar për çështjen e kryeministrit.

Edhe për VMRO-në një kryeministër shqiptar do të ishte në kundërshtim me parimet e saj.

Bisedimet për koalicionin do të vijojnë deri më 14 gusht.

Ky është afati formal kur presidenti Stevo Pendarovski duhet të propozojë mandatarin e qeverisë dhe në fillimin e shtatorit ky i fundit duhet të marrë edhe miratimin në kuvend të platformës qeverisëse.

Zjarr Tv Ad