Nga sot fillon java e fundit e fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që duhet të mbahen më 5 maj. Pritet që kandidatët Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova të vazhdojnë me tubimet para votuesve ku do të prezantojnë programin e tyre zgjedhor. Gjatë festave fetare për Pashkët që të dy nuk kishin aktivitete klasike, por vetëm takime me qytetarë dhe vizitë në objekte fetare.
Fushata do të zgjasë deri të premten në ora 00:00 ku fillon heshtja zgjedhore. Të shtunën votojnë personat e sëmurë, të burgosurit si dhe qytetarët që janë në punë të përkohshme jashtë vendit dhe që janë paraqitur për votime në përfaqësitë diplomatike konsullore.
Nevojiten 40% e votuesve nga Lista Zgjedhore të dalin në votime në mënyrë që të zgjidhet presidenti i ri, përkatësisht 723.253 votues nga 1.808.131 votues të regjistruar. Nëse nuk arrihet censusi në zgjedhje, zgjedhjet do të konsiderohen të pasuksesshme dhe do të duhet që kryetari i Kuvendi të shpallë zgjedhje të reja.
Sipas njoftimeve të mëhershme nga partitë politike, nëse nuk arrihet censusi parashihet edhe opsioni për ndryshime kushtetuese që kryetari të zgjidhet në Kuvend.