Gjyqi për deputetin demokrat Ervin Salianji është shtyrë përsëri sot, për herë të gjashtë, duke e kthyer këtë çështje në një maratonë. Shkak, është bërë mosformimi i trupit gjykues në Apel dhe për rrjedhojë gjykimi nuk mund të vijonte.
“Sot ne date 19.12.2022, ora 13:00, ne Gjykaten e Apelit Tirane, eshte planifikuar per tu gjykuar ceshtja penale me te pandehur Ervin Salianji, etj. Per arsye te mosformimit te trupit gjykues, gjykimi i ceshtjes nuk do te mund te vijoje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.
Sipas togave të zeza të Shkallës së Parë, përgjimet e dosjes “Babale” kanë qenë të inskenuara dhe Ervin Salianji është dënuar me 1 vit burg. Këtë masë dënimi deputeti demokrat e ka ankimuar në Gjykatën e Apelit, ku gjyqi është shtyrë për të disatën herë.
Nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, atëherë Ervin Salianji detyrohet të vuajë një vit burg. Sipas ligjit, deputeti i PD nëse shpallet fajtor edhe në Apel, vendimi bëhet i ekzekutueshëm dhe ai prangoset në sallën e gjyqit. Po ashtu, Ervin Salianji humbet dhe mandatin.