Mark Marku, njoftoi sot papritur se nuk do të merrte pjesë në Këshillin Kombëtar të PD dhe as në Kuvendin e ri, që do të nisë punën në Shtator. Arsyet ishin të shumta, për gjendjen ku është katandisur PD, drejtimin e Bashës dhe mungesën e reflektimit për humbjen.
“PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës, të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së dhe ndoshta edhe të disa prej deputetëve të saj, duke i tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica”, shkruan Marku në letrën e dorëheqjes.
Në shkrimin e tij, i rrallë për nga natyra politike, ai thotë shumë. Madje, nuk kursen as Jemin Gjanën.
“Sa për Këshillin Kombëtar që u zgjodh dhe që do të mblidhet me 30 shtator, askush nuk e kuptoi si u bënë përzgjedhjet e kandidatëve, askush nuk e kuptoi si dhe sa votuan, askush sa vota mori. Drynat e sekretit të tyre i vari në zinxhirin e florinjtë që mban në qafë Jemin Gjana dhe i mori me vete.
… Nga leximi i kësaj axhende dhe krahasimi i saj me shqetësimet që mendoj unë se duhet të jenë prioritare për aktivitetin e ardhshëm të PD-së, kam krijuar përfundimisht bindjen se unë personalisht dhe PD kemi vektorë gjithnjë e më të kundërt mendimi dhe veprimi”, shkruan ai.