‘Marrëveshja e tretë me Ramën’/ Bushati: Këta janë karagjozë të opozitarizmit

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Analisti Andi Bushati, duke iu referuar marrëveshjes mes qeverisë dhe opozitës për zgjatjen e vetingut, shkruan se “këta nuk janë më opozitarë. “Ka kohë që këta nuk janë më opozitarë, por karagjozë të opozitarizmit,” shkruan ai, duke postuar një koment të portalit  Dosja, me titull: “Marrëveshja e tretë me Ramën po e kthen Opozitën në fasadën e autokracisë”. Lexojeni më poshtë shkrimin e plotë:

Ikja e Partisë Demokratike nga diskutimi për zgjatjen e Vettingut nuk ishte refuzim por pranimi i tij. Pasi ka dorëzuar në Kuvend 3 kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës, për reformën Zgjedhore, reformën territoriale dhe Vettingun e politikanëve, nuk kishte arsye për ta shtyrë diskutimin për zgjatjen e mandatit të KPK-së, nëse nuk ka ndërmend ta pranojë. Partia Socialiste nuk i ka 92 vota për ndryshimin e Kushtetutës, nuk mund ta zgjasë mandatin e vetingut në drejtësi pa opozitën. Reagimi i parë i Partisë Demokratike nuk ishte refuzimi kategorik i zgjatjes së mandatit të KPK-së si organi më besnik i Edi Ramës. Lulzim Basha deklaroi se ky është momenti për të parë punën e secilin anëtar të Komisionit të pavarur të Kualifikimit dhe më pas për të shqyrtuar votën.

Domethënë, në parim dakord, por do ta shohim nen për nen, ose, në këtë rast, anëtar për anëtar. Domethënë, anëtarët që opozita nuk i propozoi 5 vjet më parë, duke ia lënë,  Edi Ramës të zgjidhte kë të donte, tani mund të diskutohen, një pjesë e tyre mund të zëvendësohen më të propozuarit e opozitës dhe të gjithë dalin të lumtur me shtyrjen 3-vjecare të afatit të KPK. Pak a shumë, këtë përsëriti dhe Fatmir Xhafaj dje. Ajo që ndodhi dje, e konfirmon këtë version. Nëse opozita do të kishte vendosur të votonte kundër, nuk kishte pse të largohej nga mbledhja e Këshillit të Legjislacionit. Që aty do të deklaronte votën kundër dhe nuk do ta kushtëzonte me ndryshimet Kushtetuese që ka propozuar vetë.

Pasi deklaroi se propozimet e opozitës janë të mirëpritura, Edi Rama futi me nxitim propozimin për zgjatjen e Vetting-ut dhe deklaroi se nuk do të negociojë me opozitën për këtë. Mbështetja që i dha ambasada amerikane zgjatjes së mandatit të KPK dhe nënshtrimi i plotë i PD-së ndaj ambasadës, ishin kushtet perfekte për një tjetër poshtërim të opozitës. Duke e përshpejtuar votimin për Vettingun, Rama donte ta linte opozitën vetëm me dy mundësi; të refuzonte zgjatjen e mandatit të KPK-së dhe të prishte përsëri marrëdhëniet me SHBA ose të votonte pro, pa asnjë kusht, që të ruante marrëdhëniet e lumtura me SHBA dhe të poshtërohej edhe një herë.

Votimi kundër dhe kthimi në pikën e nisjes më SHBA, nuk u pa asnjëherë si variant nga PD. Mbetej vetëm variant poshtërues i votimit pro pa kushte. Dalja me tre kërkesat, që u kërkua edhe nga Oerd Bylykbashi në debatin me Bashën, të paktën e shpëtoi opozitën nga turpërimi. Zgjatja e mandatit të KPK do të votohet, por në një variant të tretë, që Edi Rama nuk e kishte planifikuar, duke bërë bashkë edhe ndryshimet e opozitës, madje edhe Vettingun e politikanëve që refuzoi 3 vjet më parë.

Në pamje të parë duket një lëvizje e zgjuar taktike për të shmangur një tjetër poshtërim që kërkohet nga ambasada amerikane. Tani topi nuk është në fushën e “Zotit Luli”, është Rama që duhet të pranojë Vetingun e politikanëve që refuzoi 3 vjet më parë, të anullojë (edhe pse kur loja ka mbaruar) ndryshimin Kushtetues që ndaloi koalicionet dhe e ndihmoi të merrte mandatin e tretë dhe të rishikojë reformën territorial, një tjetër aleat statik në marrjen e mandatit.

Në fund do të jetë i detyruar të firmosë një marrëveshje për këto, të pranojë edhe një KPK me ndryshimin e disa anëtarëve dhe zëvendësimin e tyre me të propozuar të opozitës. Po e gjitha kjo në fund do të cojë në një marrëveshje të re mes PD dhe PS, e treta pas asaj të 17 majit 2017 dhe 5 qershorit 2020. Dy të parat Rama i nënshkshroi dhe më pas i prishi. Nuk ka asnjë pengesë që ta ndalojë të sillet njësoj me të tretën, aq më tepër kur opozita po shkalafitet nga lufta e brendshme. Marrëveshja me Ramën nuk është garanci. Ajo mund t’i shpëtojë fytyrën opozitës, që me vrullin e verbër për u bërë nxënësi më i zellshëm i ndërkombëtarëve, ka vendosur të votojë pro vetingut në Drejtësi. Për ta bërë këtë pa u poshtëruar ka hedhur në tryezë 3 ndryshimet e saj, që e shpëtojnë nga poshtërimi i sotëm, por e shndërrojnë përfundimisht në fasadën e autokracisë, në legjitimimin e 25 prillit, duke i përgatitur kështu vetes një fat të njëjtë më atë të këtyre 8 viteve.

Zjarr Tv Ad