Krerët e partive opozitare në vend, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e hyrje/daljes.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehet se një zgjidhje e qëndrueshme mes dy vendeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA.
Reagimi i Metës:
I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit “Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”.
Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehet se rruga e Ballkanit drejt integrimit në BE është ajo e vendeve sovrane dhe të barabarta që mund të jetojnë në paqe.
Reagimi i Berishës:
Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur!
Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumentave të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Partia Demokratike ka mbështetur pa lekundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve.
Vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE. sb