Banorët e Lezhës kanë paralajmëruar ditën e sotme protestë kundër marrëveshjes së firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni për ngritjen e dy kampeve, në Shëngjin dhe Gjadër, për emigrantët e huaj.
Ata shprehen se s’mund të lejojnë shndërrimin e Shëngjinit në një kazan emigrantësh dhe se shndërrimi i Lezhës së Besëlidhjes në një Lampedusa të dytë është e papranueshme.
Marshimi do të nisë ditën e sotme rreth orës 15:00, në shëtitoren e Drinit.
“Të nderuar qytetarë të Lezhës, është dita e marshimit për vendin tonë, qytetin ku jemi lindur e rritur!
Shndërrimi i Lezhës së Besëlidhjes në një Lampedusa të dytë është e papranueshme! Shndërrimi i Shëngjinit në kazan emigrantësh, nuk do të lejohet!
Marshojmë për të ardhmen tonë, të familjeve tona, për Lezhën! Mos prano përdhosjen e Lezhës dhe Shqipërisë! Bashkohu ne orën 15:00, në shëtitoren e Drinit, tek ish aneksi dhe MARSHO”, shkruajnë qytetarët lezhjanë.