Kryediplomati kinez Wang Yi ka thënë se marrëveshja tregtare e fazës së parë kino-amerikane është një lajm i mirë për të gjithë dhe “do t’i ofrojë siguri tregtisë globale”. Wang e bëri këtë deklaratë në një konferencë shtypi të dielën në Lubjanë me homologun e tij slloven Miro Cerar.
Komentet e tij kryediplomati kinez i bëri pasi Kina dhe ShBA-ja ranë dakord për tekstin e marrëveshjes ekonomiko-tregtare të fazës së parë. Në këtë dokument me nëntë pika, Kina pranon që të shtojë importimin e produkteve bujqësore amerikane, ndërsa ShBA-ja do të heqë gradualisht tarifat ndaj produkteve kineze.
Duke e quajtur marrëveshjen rezultat të respektit të ndërsjellë e konsultimeve të barabarta, Wang Yi shprehu besimin që ajo përmbush kërkesat e të dy popujve dhe shpresat e bashkësisë ndërkombëtare. Ai shtoi se ky hap do të ndihmojë në forcimin e besimit te ekonomia botërore dhe do të ndihmojë në ruajtjen e rendit tregtar ndërkombëtar.