Martin Leka shpërthen ndaj politikanëve: Big Brother e shoh për kokërr të qefit, këta kanë 32 vite që na gënjejnë

0
12
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-drejtori i RTSH, Martin Leka ka bërë një postim lidhur situatën politike në vend.

Leka ka shpëthyer ndaj politkanëve, teksa shkruan se më mirë sheh Big Brother sesa politikanët që sipas tij na vjedhin dhe gënjejnë për 30 vite.

E plotë nga Martin Leka

Po. Unë shoh çdo të martë e të shtunë programin televiziv BBV, gjithnjë sipas mundësive që kam. Përkundër “moralistëve” që gjejnë gjithnjë një arsye të pajustifikueshme e të kotë për ta injoruar (edhe pse dinë çdo detaj çfarë ndodh në këtë program), unë kam vetëm një arsye: e ndjek për kokrrën e qejfit tim dhe si një “libër limonadë” para gjumit. Kaq.

Mbaj edhe ndonjë shënim në bllokun e vogël (mos u bëni kuriozë, nuk ka asnjë shifër blloku im i vogël) kur më krijon idenë për ndonjë shkrim. Një ndër shënimet që gjeta aty, ishte dhe kjo: -Më mirë të shohësh BBV2 apo Parlament?!… Tani është radha ti jap përgjigje pyetjes dhe po e bëj pa dilema dhe pa e stërholluar frazën. Më mirë shoh të parën se të dytën. Jo se kanë shumë dallime, por vetëdija shkon në favor të së parës.

Të dyja janë të zhurmshme, të dyja janë të dhunshme, të dyja janë mediokre, të dyja janë cinike, të dyja të rëndomta, të dyja të pakulturuara e të rrënuara për çka i japin konsumit publik.

Por, nëse programi televiziv na nxjerr në dritë terrin e dijeve elementare të VIP-a(e)ve që më tepër janë ca cingërjarë e cingërjare, në politikën reale na shfaqet seriozisht lemeria. Aty ka gjithfarë lloj e soj tipash e “tipeshash”. Ka dallaverexhinj, ka thashethemexhinj, ka shpifësa, ka lustraxhinj, ka kopukë, ka halldupë, ka sharlatanë, ka intrigantë, ka injorantë, ka gënjeshtarë, ka zullumqarë, ka zuzarë, ka kusarë, ka banalë, ka fatalë…

Ka tridhjetë e dy vjet që mostra politike na gënjejnë, na vjedhin, na dhunojnë, na poshtërojnë, na vrasin. Na shohin në kokërdhok të syrit edhe pas tridhjetë e dy vjetëve e pa u skuqur, pa pikë turpi e pendese, na kërkojnë tu besojmë ende. Pse? Që të na gënjejnë sërish, të na vjedhin, dhunojnë, poshtërojnë, vrasin… Janë si shkarpat e një gardhi të vjetër që nevojiten vetëm për tu djegur.

Ikni farë e keqe! Non grata e grata. Mos e përdorni njeriun si cimbidhe! Me të skuqur do ju kthehen një ditë!

Zjarr Tv Ad