Sipas Komitetit Teknik të Eksperteve, të gjitha masat e marra deri më sot kundër pandemisë, do të vijojnë pa afat.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka paralajmëruar, se nëse situtata do vijë duke u përkeqësuar, atëherë do të kemi masa shtrënguese.
“Komiteti i Ekspertëve mori vendimin unanim për t’i vijuar këto masa. Ndalohen tubimet, konferencat, ceremonitë e festave dhe ato mortore. Do vazhdojë të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00. Do të kufizohet në këto orare edhe puna në Fast-Food. Universitetet do të vazhdojnë online, administrata do të punojë online, ndërsa shkollat me mësim të alternuar. Këto masa do të vijojnë për një periudhë pa afat”,–kështu është shprehur Mira Rakacolli.
Gjithashtu Zv. Ministrja, ka përjashtuar mundësinë e mbylljes totale në fundjavë.
“Rikthimin e izolimit në fundjavë nuk e kemi diskutuar si diçka që mund të ndodhë. Presim si do të shkojë situata për të marrë vendime të tjera”, ka thënë ajo.
Specialistja e ISHP-së, Eugena Tomini, u shpreh se; masat aktuale po japin rezultat duke sjellë një ulje të lehtë të rasteve të reja.
“Vendi po vijon me intensitet të lartë me koronavirus. Incidenca vijon e lartë, kemi kaluar në 347 raste për 100 mijë banorë. Në javën e fundit kemi një tendecë në ulje. Duhet të theksohet se Tirana mban peshën kryesore, e ndjekur nga Gjirokastra dhe qarku i Lezhës. Java e fundit ka treguar një ndikim të masave të fundit”, është shprehur Tomini.