Banorët e Madheshit në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë Mat kundërshtojnë projektin për ndërtimin e një hidrocentrali në zonë.
Ata u ngritën në protestë këtë të hënë, pasi sipas tyre HEC-i u merr ujin të cilin e kanë burim jetese, duke qenë se në këtë zonë ka 10 mullinj për bluarje që funksionojnë përmes ujit. “Janë 10 mullinj që kanë bluar drithërat, kanë jetuar, me atë ujë, me atë bujqësi me ato kushte, dhe ti sot vjen mu marrë ujin, por jo mo zotëri”, thotë një banor.
AKUZA KRYEBASHKIAKUT
Banorët e Madheshit akuzojnë se pas HEC-it është kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, dhe i vëllai i tij.
“Ata vetëm duan me marrë me u pastruar për vete. Këta ne na thajnë me tokë, me shtëpi, me mulli me krejt. Ma mire të na thonë largoheni nga këtu dhe t’ju lëshojmë vendin e të pareve pushtetarëve sepse nëse bëhet ai, HEC-i këtu nuk ka më jetese, gjithçka mbaron”, thotë një banor.
Banorët ngrenë dy shime edhe për manipulime, ndaj i janë drejtuar drejtësisë në kërkim të së drejtës së tyre.
“Ka krijuar dhe po bën çdo gjë, çdo lloj manipulimi, të cilat ne i jemi drejtuar drejtësisë për manipulimet. Ka futur emra që nuk ekzistojnë në fshatin tonë. Asnjë nuk ka firmosur që këtu të bëhet Hidrocentral dhe të gjithë jemi kundër, por këta zotërinj i kanë manipuluar dokumentet”, thotë një banor.
“REZISTENCË DERI NË FUND”
Komuniteti i banorëve të Madheshit në Mat, thonë se do të vijojnë rezistencën për të mos lejuar ndërtimin e HEC-it në zonën ku jetojnë.
“Do vazhdojmë proceset gjyqësore deri në pikën e fundit, deri sa të gjemë ne të drejtën tonë. Është edhe një ligj tjetër që nuk dëshirojë të vihet në zbatim, është kanuni i Lekë Dukagjinit. Nuk do lejojmë që këtu të bëhet ai investim, do e mbrojmë me çdo çmim”, thotë një banor.
Kjo e disata herë që banoret e Madheshit ngrihen në protestë, duke kundërshtuar ndërtimin e Hidrocentralit në zonën e tyre, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagimin nga institucionet përgjegjëse për të ndaluar këtë investim i cili dëmton zonën.
© Panorama.al