Ish-kryeministri italian Matteo Renzi rikthehet aktiv në skenën e politikës italiane, rreth dy muaj pas dorëheqjes së tij të detyruar nga humbja e referendumit mbi reformën kushtetuese.
Me anë të blogut të tij, të cilin Renzi e quan “jo personal, por i të gjithë italianëve që e kanë votuar”, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike shprehet se “herët a vonë e ardhmja kthehet e le të ecim së bashku drejt saj.”
“Rinisja, thotë ai nuk është vetëm fizike, e përbërë nga miq të vjetër, por dhe virtuale e bashkuar nga një komunitet i tërë. Miliona italianë kanë një ide të qartë e të bukur për Italinë. E këta miliona italianë nuk duan të dorëzohen para dorëheqjes. E unë dua tëec me ta.”
Duke iu referuar dorëheqjes së tij të 12 dhjetorit të shkuar, pas rezultatit negativ të referendumit mbi reformën kushtetuese, Matteo Renzi shkruan se “me reformat dëshironte një Itali më të thjeshtë, më të fortë, por shkoj keq. U përpoqa të shkurtoj qindra kolltuqe, por i vetmi kolltuk që iku, ashtu siç qe e drejtë dhe e detyrueshme të ishte, qe kolltuku im. Por dhe kjo ngjarje i përket së shkuarës”, shprehet Renzi.
“E jam këtu për të folur për të ardhmen”.
E kthimin e tij aktiv në politikën italiane, Matteo Renzi, e bën duke e nisur pikërisht nga raporti i Romës me Bashkimin Europian, nën dritën e evolucioneve të reja politike që sollën një linjë të re bashkëpunimi mes Trump e Putin.
“Çfarë hyjnë në punë institucionet europiane, pyet Renzi, në një epokë që imagjinohet të jetë e dominuar nga raportet Trump-Putin? Për ëfarë do të shërbejë ideja e Europës e lindur në Ventotene? Mos vallë vetëm për të dërguar letra qesharake mbi absurditetin e korrigjimit të defiçitit, ashtu siç është bërë gjatë 3 viteve të fundit? ”
Akuzat e ish-kryeministrit Renzi ndaj Europës shkojnë më tej duke evidentuar paaftësinë e institucioneve europiane për të ndihmuar Italinë përballë 45 mijë lëkundjeve të tërmetit që e kanë goditur e po vazhdojnë ta godasin Italinë qëndrore, por dhe ndaj burokarcisë së tyre ndaj krizës së pazgjidhshme të emigrantëve.
Përsa i përket reformimit të Partisë Demokratike, Matteo Renzi thotë se shumë shpejt do të ketë një kryesi të re të Partisë Demokratike që do të çojë në riorganizmin e kësaj force politike.
“Le të vazhdojmë të luftojmë së bashku. E ardhmja herët o vonë kthehet. Ne na takon detyra ta rindërtojmë atë e jo vetëm të presim” ka përfunduar lideri i PD-së e ish-kryeministri Matteo Renzi.//