Nënkryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, nga radhët e PS, Toni Gogu, ka reaguar pas deklaratës së Enkelejd Alibeaj, i cili tha se mazhoranca po bojkoton punimet e komisionit për të mos vijuar procesi.
Në përgjigje të kryetarit të Komisionit Hetimor, Gogu shprehet se Alibeaj ka vazhduar me shkeljen e rregullores. Sipas Gogut, në mirëbesim iu ishte propozuar kolegeve të opozitës që t’a vazhdonin mbledhjen ditën e enjte.
“Me keqardhje vura re sot sesi Alibeaj ka vazhduar shkeljen rregullores se Kuvendit dhe mirebesimit mes palëve. Përcaktimi i mbledhjes së ardhshme të Komisionit ishte pika e fundit në rendin e ditës dhe nevojitej të votohej nga Komisioni. Në kushtet e pamundësisë së votimit nga Komisioni të kësaj pike të rendit të ditës dhe njoftimit nga sekretaria në kohë të papërshtatshme dhe të padakortësuar, ndërkohë që kemi planifikuar aktivitete në zonat elektorale, u kemi propozuar kolegeve te opozitës t’a vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte. Në frymën e bashkërendimit të punëve dhe shërbimit në mënyrën me dinjitoze interesit qytetar, lipset që te komunikojmë, të debatojmë, e te vendosim sebashku në frymën dhe germën e ligjit dhe jo të krijojmë furtuna në gota foltoresh,”- thuhet në reagimin e Gogut.