Me një ecje ritmike nën tingujt e këngës së njohur “Mbretëresha e Vallëzimit”, kryeministrja Theresa May ka përcjellë mesazhe shpresëdhënëse për qytetarët britanikë. Në konferencën e Partisë Konservatore, May ka deklaruar se pas një dekade trazirash financiare, për Mbretërinë e Bashkuar po afrojnë ditë më të mira.
Para një viti ajo dështoi prej zërit, pasi ishte e ftohur, një plangprishës ia doli të arrijë deri në pultin prej nga ajo fliste dhe gërmat e slloganit të partisë ranë nga muri. Sa i përket përmbajtjes kryeministrja përpiqej ta bindte partinë e përçarë për rrugën e saj të Brexit-it. Ajo donte t’u jepte mbi 10.000 pjesëmarrësve në kongresin e partisë një mesazh optimist para se të ktheheshin në zonat e tyre ne vendin thellësisht të pasigurtë.
“Unë besoj me pasion, që ditët tona më të mira do të vijnë paskëtaj dhe që e ardhmja jonë është shumë premtuese”, tha May në Birmingham.
“Mos lejoni t’ua prishin mendjen, që ne nuk mund t’ia dalim. Ne kemi gjithçka, që na duhet për të qenë të suksseshëm.”
Ajo nuk e përmendi kritikën e ashpër të kundërshtarit të saj në parti Boris Johnson lidhur me strategjinë për Brexit. Por ajo e hodhi poshtë idenë e tij për një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, që do ta shkëpuste Irlandën e Veriut nga Britania e Madhe. Këtë ajo nuk do ta lejojë kurrë, tha Theresa May. Ajo vazhdon t’i përmbahet kursit të saj për ta bindur BE-në për planin e saj “Chequers”, që parashikon qendrimin e pjesshëm të industrisë britanike në tregun e brendshëm të BE-së.
Planin që u dërgua në korrik nga rezidenca e qeverisë britanike Chequers BE-ja e ka hedhur poshtë disa herë si të rrezikshëm për unitetin e tregut të brendshëm europian, më së fundi ky plan u refuzua edhe në samitin e Salcburgut, që ishte i turpshëm për Theresa Mayn. Propozime se si mund të ndryshojë ky plan, May nuk bëri. Por ajo nuk e përmendi më emrin Chequers dhe e quajti propozimin e saj tani edhe si marrëveshje për tregtinë e lirë.
“Ajo që ne propozojmë është një sfidë për BE-në. Por nëse ne qendrojmë bashkë dhe ruajmë qetësinë, atëherë e di, se do ta arrijmë një marrëveshje, që do t’i shërbejë Britanisë.” Theresa May pret që BE të lëshojë pe. Sipas saj Britaninë e Madhe jashtë BE-së e pret një botë, që patjetër do të hyjë në biznes me britanikët, theksoi ajo plot entuziazëm. “Britania e Madhe nuk ka frikë që të largohet pa marrëveshje nga BE-ja.”