Mazhoranca i mbyll derën qeverisë teknike, Gjiknuri: Ato që s’i morën në rrugë, s’mund ti marrin në tavolinë

0
100
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Opozita ka deklaruar se nuk ka hequr dorë nga zgjedhjet e parakohshme përmes një qeverie tranzitore, por mazhoranca në tryezën e reformës zgjedhore e ka mbyllur derën për çdo kërkesë politike. Mesazhin e përcolli bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri pas takimit që pati me përfaqësues politik të partive, ekspertë të ODIHR dhe ata vendas për reformën, ku edhe u njohën me disa propozime të PD për rolin e policisë dhe prokurorisë në krimet zgjedhore.

Gjiknuri: Paketa trajton të gjitha ato çështje që kanë rëndësi për garantimin e  rregullave për fushë të barabartë për të gjithë subjektet zgjedhore. Ato gjëra që nuk janë arritur me luftë në rrugë nuk mund ti marrësh në një tavolinë negociatash. Qeveria është kushtetuese, qeveritë teknike nuk janë të dobishme për këtë popull, për këtë vend, qeveritë janë për të qeverisur vendin.

Opozita kërkon që korrupsioni zgjedhor të hetohet nga SPAK, por Gjiknuri tha se kjo çështje duhet të shqyrtohet me ekspertët dhe çdo zgjidhje duhet të bëhet me kompromis.

Bylykbashki:  Janë tre paketa në lidhje me atë që ne mendojmë se është instrumenti që do të ndajë politikën nga krimi, do të godasin krimin zgjedhor, do të rrisin efikasitetin e krimit zgjedhor. Është roli i Policisë së Shtetit në një kuadër masash që garantojnë fushën e barabartë të lojës. Futja e një numri instrumentesh që kanë të bëjnë me të drejtën dhe mbrojtjen e subjekteve që do të denoncojnë krimet zgjedhore, rol të shtuar për Policinë Gjyqësore dhe elementë të tjerë që garantojnë sekretin dhe lirinë e zgjedhësve në procesin e votimit.

Po ashtu, kemi bërë propozime në lidhje me rolin që do të ketë Prokuroria, qoftë ajo e zakonshme, qoftë ajo e Posaçme në goditjen e krimit zgjedhor, në mënyrë të veçantë Prokuroria e Posaçme për korrupsionin zgjedhor, qoftë atë aktiv, qoftë atë pasiv dhe futja e këtij të fundit në kompetencat e SPAK-ut, sepse në të shkuarën është lënë jashtë duke dëmtuar një qëllim që ka jo vetëm Kushtetuta por edhe reforma zgjedhore e mëhershme, që krimi i korrupsionit zgjedhor duhet të goditet nga strukturat më të specializuara që kemi ne sot nga reforma në drejtësi.

Pra, është një paketë e cila trajton disa çështje nga axhenda e miratuar nga Komisionit dhe bashkë me ekspertizën e ekspertëve të ODIHR-it besojmë se do të ecim me shpejtësi për t’u dhënë drejtim çështjeve që janë me ndikim shumë negativ mbi procesin zgjedhor.

Gjiknuri: Patëm disa propozime nga PD edhe për çështjen e kuotave gjinore dhe disa problematikave që ata duan të përfshihen në kod, mbi rolin e policisë së shtetit në krimet zgjedhore. Sa për SPAK, janë gjëra që duhet ti shikojmë.Korrupsioni zgjedhor është një vepër penale. Duhet zgjidhur me kompromis.

Lidhur me deklaratën e Bashës për të futur dhe reformën administrative në paketën për zgjidhjen e krizës politike, Gjiknuri pati këtë koment:

Gjiknuri: Nuk është mandati im, as i këtij komisioni të reformës zgjedhore, as i këtij grupi pune për të adresuar çështjet kushtetuese territoriale apo elementë të tjerë që nuk kanë të bëjnë me legjislacionin zgjedhor. Kërkesat për qeveri teknike apo të tjera janë të natyrës politike të përsëritura shpesh që nuk kanë lidhje me punën tonë.

Zjarr Tv Ad