Mbi hymnin, përunjësinë e vizionin

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Genc Pollo

Në tetor 2005, prej një muaji në ofiqin e ministrit të Arsimit, unë firmosa një urdhër që shkollat çdo fillimjave të këndonin hymnin kombëtar dhe të mbanin ceremoninë e ngritjes së flamurit para fillimit të mësimit. Këtë urdhër e bëra  publik në përmbyllje të konkursit mes afro 200 nxënësve nga tërë shkollat e vendit me punime artistike për nder të Skënderbeut në 500 vjetorin e lindjes së tij. “Shkolla jonë duhet të jetë e qartë në misionin e saj, qoftë për formimin e shqiptarëve të ndërgjegjshëm, ashtu edhe për formimin e qytetarëve të denjë dhe europianë të mirë. Prandaj të ruajmë me rigorozitet këndimin e Hymnit Kombëtar dhe t’a pasurojmë këtë me akte të tjera, siç është ngritja e flamurit shqiptar”. Këto fraza nga fjalimi im asokohe i gjeta pas një gugllimi në internet ( https://www.forumishqiptar.com/…/56320-Hymni-komb%C3… ).

Reagimet ishin pozitive: kolegë të mazhorancës e të opozitës më përgëzuan privatisht. Ekrem Spahia, asokohe kryetar i partisë Levizja e Legalitetit dhe zëvendësministër i Mbrojtjes ishte i vetmi politikan që e përshëndeti nismën publikisht.

Në fakt këndimi i hymnit ishte një detyrë e përcaktuar qartë në Dispozitat Normative të Arsimit por në 8 vitet e mëparshme të qeverisë socialiste ishte neglizhuar e madje harruar në praktikë.

Gjatë qeverisë Berisha, ministrat e Arsimit pas meje herë pas here, përmes shkresave e thirrjeve publike, i kujtuan drejtorët lokalë, nganjëherë të pakujdeshëm, për detyrimin e këtij rituali.

Me ardhjen e qeverisë Rama në v. 2013 këndimi i hymnit dhe ngritja e flamurit në shkolla në përgjithësi u la në harresë.

Prandaj ishte disi befasues njoftimi i kryeministrit, tash dhjetë vjet në detyrë, se në përvjetorin e vdekjes së Skëndërbeut në shkolla po këndohej himni dhe se u mor vendimi “që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore”.

Nuk lipset të fiksohemi pas dilemës nëse rishpikja permanente e rrotës është megalomani apo marrëzi. Dhe as të filozofojmë për hipokrizinë e një kryeminstri që shpesh përmend përunjësinë e tij.

Le të shohim pozitiven me shpresë se ministria e Arsimit do të kujdeset që ceremonia të mbahet rregullisht në shkolla.

Ndërkohë lipset të kujtojmë se Shqipëria është një shtet europian dhe kandidat për anëtarsi në Bashkimin Europian. Sado komplekse të jetë marrëdhenia jonë me BE historia e gjeografia fatmirësisht na ka përcaktuar në Europë. Prandaj do lipsej të diskutonim nëse nxënësit çdo të hënë përveç vargjeve të Aleks Drenovës do të duhej të këndonin edhe vargjet e Schillerit me muzikën e Bethovenit  të  “Ode gëzimit” që është tashmë zyrtarisht hymni europian.

Genc Pollo

Ish ministër e deputet

21 janar 2023

Zjarr Tv Ad