Mbretëresha e Anglisë ka pranuar kërkesën e qeverisë për pezullimin e Parlamentit deri më 14 tetor.
Parlamenti u pezullua vetëm disa ditë para se deputetët të ktheheshin në punë në shtator dhe vetëm disa javë përpara afatit të Brexit.
Kjo do të thotë se koha që deputetët kanë në dispozicion për të miratuar ligje për ndalimin e daljes së vendit nga BE pa marrëveshje të Brexit më 31 tetor do të shkurtohet.
Ishte kryeministri britanik Boris Johnson, që i kërkoi Mbretëreshës Elizabetë të mbyllte sesionin aktual të parlamentitpër të hapur një sesion të ri pas fjalimit të mbretëreshës më 14 tetor për të parashtruar agjendën legjislative të qeverisë së tij.
Kryetari i Dhomës së Komuneve, John Bercow e cilësoi si “një absurditet kushtetues” veprimin e kryeministrit dhe tha se qëllimi i qartë i kësaj mase është “të ndalet debati në Parlament në prag të Brexitit dhe të pengohet puna e legjislativit në detyrën e tij për t’i dhënë formë kursit të vendit”.
Johnson është zotuar ta nxjerrë Britaninë nga BE me ose pa marrëveshje për termat e shkëputjes.
Pararendësja e tij, Theresa May, nuk arriti të marrë miratimin e parlamentit për marrëveshjen që arritën negociatorët e saj me Bashkimin Evropian.