Me elitën në burg, çdo riformatim i qeverisë është si botoks mbi kufomën

0
119
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Alfred Lela

Mpiksja e një zhurme, me qëllimin për ta bërë lajm, duke guxuar më vonë për ta quajtur edhe risi, ripërtëritje, riformatim, shndërrim etj., duket se është hobi i ri që po hedh në Tiranë bishti i lodhur i një vere me zheg e skandale.

Zhurma lidhet me një ‘shkrirje’ të qeverisë ‘Rama 3’ dhe me gjasë hapjes së një regjistri të ri pushteti, me fytyra të reja, qëllime të qashtra dhe pasione të nxehta shtetbërjeje dhe ideologjie.

Ndodh a nuk ndodh, kjo nuk ka pikë rëndësie. Në ndodhtë nuk është më shumë se botoks në fytyrën e lodhur dhe rrudhosur të kësaj qeverie.

Ka një keqkuptim madhor me ndërrimin e qeverive dhe ruajtjen e së njëjtës filozofi qeverisjeje. Në rastin e kryeministrit Rama është thuajse tragjik, për faktin se, pasi ka humbur elitat e partisë ai e shërben popullatën me ndërrimin e qeverisë. Kërkon, pra, të zëvendësojë një humbje thelbësore me një riparim mekanik dhe të jashtëm. Për të kuptuar se çfarë është ajo që këtu emërtohet si ‘humbje të elitave’, dhe pse ka rëndësi kjo për një forcë politike që udhëheq vendin, duhet ta nisim nga episodi më pak domethënës dhe që ndodhi sot. Edi Rama dekoroi Fatos Nanon, që gjendet në reanimacion në një spital privat të Tiranës. Gjesti ka brenda përcjellje më shumë se përkujdesje. Në këtë përcjellje ka një teprim. Për çfarë është dekorata dhe çfarë i shërben ajo një burri në ‘shtratin e vdekjes’, që nuk mund të jetë mirënjohës dhe as nuk ka pse? Fatos Nano ndoshta e meriton atë dekoratë, por me siguri ai do ta donte për së shëndoshi, publikisht, si shenjë e respektit për rolin e tij në të majtën e re shqiptare, apo për të Majtën e Dytë shqiptare (nëse konsiderojmë si të Majtën e Tretë atë të Edi Ramës dhe të Parën atë të Enver Hoxhës. Meqë jemi te e majta, ka një paradoks këtu që, pavarësisht morbiditetit të situatës, sëmundjes së z. Nano, më bën të qesh me të majtën shqiptare. Kryeministri socialist dekoron një paraardhës të tij nga e njëjta forcë, i shtruar në një spital privat, ndërkohë që ka ardhur në pushtet me premtimin e shëndetësisë falas dhe moderne, çka do të thotë një sistem shëndetësor publik më i mirë.

E majta pra, ideologjizon për spitalet publike, por mjekohet dhe ndërron jetë (larg-o-Zot!) në ato private. Thagmë!

Tërheqja e një Fatos Nanoje të brishtë në këtë pusetë politike bëhet për të ngjizur idenë e trashëgimisë së tij në PS. E cila sot është thuajse e paqenë. Tre prodhime të shkollës politike të Nanos, të mbetura në PS, janë Pandeli Majko, Fatmir Xhafa dhe Erion Braçe. Ata janë ura lidhëse mes elitës së Nanos dhe Ramës. Për të tre mund të thuhet se janë ‘ushtarë të rënë të Rilindjes’. Të tre janë në parehati me Ramën. Për të treguar se ç’e dallon një elite, nuk ka formë tjetër veç mendimi dhe veprimit politik. Të tre deputetët abstenuan kur gjithë të tjerët (elita e Ramës) e votoi ligjin për legalizimin e kanabisit.

Nuk është ky dallimi i madh mes elitave në Partinë Socialiste. Me ardhjen e Ramës në krye të PS shndërrimi ishte i shpejtë. Njerëzit e Ramës në Bashki, me një përzierje të shoqërisë cilvile afër apo përreth Erion Veliajt dhe Mjaft, në vitin 2013 u vetëpagëzuan me emrin bombastik dhe abuziv “Rilindje”.

Ç’ka rëndësi sot për agumentin, të paktën si kryeurë, nuk është kronologjia apo sociologjia e elitës së Ramës, por se cili është fati i saj. Arben Ahmetaj është në arrati; Samir Tahiri në liri me kusht; Vangjush Dako në arrest me burg; Ilir Beqja nën hetim; Damjan Gjiknuri përflitet si një nga emrat e radhës në listën e fletë-arresteve të SPAK. Deputetë dhe kryebashkiakë të shumtë, me një problem a tjetër me drejtësinë, është e kotë të përmenden.

Paradoksalisht, Edi Rama e ka sjellë Partinë Socialiste në pushtet, por i ka zhbërë elitat. Partia më e madhe në vend, me gjysmën e qeverisë në burg, pas 12 vitesh në pushtet, nuk duhet të llogarisë se kush do të jetë në qeverinë e re në shtator, por çfarë do të thotë ky moment për të ardhmen e saj? Aq më pak të flasë se qeveria po ripërtërihet, po riformatohet, ndryshon etj.

Në qeveri mund të vijnë fytyra të reja dhe emra gjysmë të njohur, apo prej atyre që do habiten kur të marrin vesh se Rama i ka bërë ministra. Thelbi këtu është se botoksi e ndryshon përkohësisht fytyrën e kujt e aplikon, por jo perceptimin e të tjerëve apo realitetin.

Partia Socialiste ka sot një problem elitash. Me një elitë të burgosur, të kallëzuar dhe të dyshuar, zgjidhja nuk është riformatimi i qeverisë. Meqë Fatos Nano është në spital dhe Ramiz Alia te të shumtët, kujtoni qeverinë e re të këtij të fundit: fytyra të reja si maska të së vjetrës.

Zjarr Tv Ad