Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka inspaktuar ditën e sotme punimet në kopshtin Zoologjik të Tiranës të cilin ai e quajti “kopshti më modern në Ballkan”.
Veliaj tha se tashmë kopshti Zoologjik ishte tërësisht i rikonceptuar ku ishte siguruar më shumë hapësirë për kafshët. Ndërsa shtoi se në datën 1 Qershor në ditën e fëmijëve, këta të fundit do të kishin mundësi të vizitonin kopshtin Zoologjik së bashku me familjet e tyre dhe të kalonin kohë cilësore duke mësuar gjëra të reja.
“Kjo është një ditë e shkëlqyer kur në një qytet diskutohet se çfarë do bëjmë me fëmijët. Të rriturit marrin shumë kohë me debate të kota dhe ndërhyrje të kota.
Fatmirësisht i kemi tejkaluar këto pengesa, është ndoshta kopshti Zoologjik më modern në Ballkan, komplet i rikonceptuar, liruar hapësira nga zaptimi. Ka më shumë hapësirë për kafshët dhe jo ato kafazet e ngushta. Pra realisht ka një trajtim shumë më njerëzor sesa ato skena që ne mbajmë mend nga kopshti Zoologjik që trashëguam. Mezi pres që në datën 1 qershor fëmijët të kenë këtu jo vetëm një mundësi për të kaluar një ditë shumë cilësore me familjen por edhe nëj mundësi për të mësuar”– u shpreh Veliaj ndër të tjera.