Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka ka folur për çështjen e taksës 100 për qind për produktet serbe dhe presionin që po bën Amerika për pezullimin e saj në mënyrë që të mos stopohet procesi i dialogut. Zeka ka thënë se është kundër heqjes së kësaj takse, mirëpo sipas tij, Kosova nuk duhet të lejojë që Amerika t’ia kthejë shpinën. Sipas tij, nuk kanë arsye që të blejnë mallra serbe kur dihet të këqijat që ia ka bërë Serbia vendit.
“Ne nuk i kemi edukuar fëmijët tanë që mos të blejnë mallin serb. Serbia na ka dhunuar aq shumë dhe bën aq shantazhe ndaj nesh, nuk kemi arsye të blejmë mall serb kur mund të blejmë mall nga Shqipëria, Maqedonia, etj. Nëse amerikanët do më thoshnin mos fli me gruan për tre ditë, nuk fle tre muaj sepse ata na kanë ndihmuar për pavarësinë e Kosovës. Amerika edhe në qoftë se e ka gabim totalisht, edhe pse unë mendoj që e ka gabim dhe nuk duhet të hiqet taksa, ne nuk mund të lejojmë që Amerika të na e kthejë shpinën”, ka thënë Zeka në Zona e Lirë.
“Unë kam informacion që kryeministri ka marrëdhënie shumë të mira me disa senatorë demokratë amerikanë, të cilët e mbështesin vendimin e tij dhe e nxisin që mos të heqin taksën. Serbët kanë urrejtje patologjike me shqiptarët… Ata luajnë me kufomat tona dhe prandaj unë e njerëzit e mi të dashur, nuk kemi arsye të blejmë produkte serbe”, ka thënë tutje Zeka.