Me pushime në Shqipëri/ Helmohen 41 turistë polakë, mes tyre edhe fëmijë

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pushimet në Shqipëri janë kthyer në një aventurë me shije të hidhur për dhjetëra turistë polakë, të cilët kanë përfunduar në spital me shenja helmimi.

Policia e Vlorës njoftoi se rreth orës 20:10, në spitalin e qytetit janë paraqitur për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi nga ushqimi 41 turistë polakë, mes të cilëve edhe fëmijë.

Nga verifikimet paraprake, shtuan të njëjtat burime, rezulton se këta persona, gjatë ditës së djeshme, kanë qenë me guidë me anije turistike, në ishullin e Sazanit.

Drejtoresha e Spitalit Rajonal Vlorë, Bruna Mersini në një prononcim për mediat, tha se gjendja e turistëve është jashtë rrezikut për jetën.

Siç bëri të ditur Mersini, turistët nga Polonia e kishin nisur udhëtimin mëngjesin e kësaj të premteje nga Shkodra, për të udhëtuar më pas me një anije turistike nga Vlora në Karaburun dhe Sazan.

Sa i përket shkakut, mjekët dyshojnë se mund të jetë bërë ushqimi që kanë konsumuar turistët ose orët e shumta të kaluara në diell.

Shefi i Epidemiologjisë në Spitalin e Vlorës, Agron Bashllari, tha se ushqimi nga turistët “është konsumuar në udhëtim” dhe jo në qytetin e Vlorës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se ka nisur një hetim toksikologjik.

“Objektivi ynë kryesor është përcaktimi i burimit dhe shkakut të kësaj incidence ushqimore që ka prekur pacientët”, thotë AKU, që më tej shton se “gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta”.

Zjarr Tv Ad