Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO, me rastin e festimeve për 70 vjetorin e “lindjes” së saj, ka publikuar edhe listën e shpenzimeve me të cilat kontribuojnë në këtë aleancë vendet anëtare. Shqipëria edhe pse ka 10 vite e pranuar, qëndron në vendin e parafundit mes 28 anëtarëve, për sa i përket buxhetit që qeveria vë në dispozicion të ushtrisë së saj. Vendi ynë lë pas vetëm Malin e Zi, i cili është futur në NATO së fundmi. Aleanca më e madhe ushtarake globale është themeluar në vitin 1949, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, si kundërveprim ndaj bllokut të vendeve që u rreshtuan përkrah ish-Bashkimit Sovjetik.
Çështja e kontributeve financiare të vendeve anëtare të kësaj aleancë është rihapur fuqishëm, menjëherë pas zgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA. Ky i fundit ka deklaruar disa herë, se nuk do të lejojë më që vendi që drejton të mbajë barrën më të madhe të buxhetit të NATO dhe ka paralajmëruar masa reciprociteti. Shtetet e Bashkuara faktikisht kanë në dispozicion të NATO buxhetin më të lartë nga të gjithë vendet anëtare. Në vitin 2018, SHBA vlerësohet të ketë shpenzuar më shumë se 700 miliardë USD për mbrojtjen, pra sa 3.5% të PBB-së së vendit. Vendin e dytë e mban Britania e Madhe, që shpenzoi rreth rreth 61 miliardë dollarë.